I pari i Komunës së Prishtinës, njëherit edhe kryetar i zgjedhur i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, po e pret ftesën e ish-partisë së tij për tryezë të përbashkët të spektrit politik.

Një tryezë e tillë, fillimisht ishte organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kishte mbledhur të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, shkruan lajmi.net.Tryeza e dytë e ftuar nga PDK-ja, mblodhi shumicën e partive politike, me përjashtim të Listës Serbe dhe Vetëvendosjes. E pikërisht nga kjo e fundit, Ahmeti po pret ftesën për një tryezë të përbashkët politike, ani pse më herët nga Vetëvendosje ishte parlajmëruar se nuk do të marrin më pjesë në mbledhje të tilla, ngase sipas tyre nuk po arrihet diçka produktive.

I kontaktuar nga lajmi.net për mundësinë që partia e re e tij të organizojë tryezën e rradhës të përbashkët me partitë politike, Shpend Ahmeti tha se ata janë në pritje që takimin ta ftojnë Vetëvendosja.“Nuk di unë, rradhën e organizimit e ka Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj presim që ata ta ftojnë takimin e rradhës”, deklaroi Ahmeti për lajmi.net.Ndryshe, pikërisht Ahmeti gjatë ditës së djeshme mori drejtimin e Partisë Socialdemokrate, subjekt ky që tani në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 12 deputetë, dhe qeveris në dy komuna, atë të Prishtinës dhe Kamenicës.