Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka tre vite prej se ka marrë mandatin për të udhëhequr me kryeqytetin.

Me të ardhur në krye të detyrës, Ahmeti  kishte paralajmëruar shitjen e veturës “Audi” Q7 me të cilën vozitej, kryeministri Isa Mustafa sa mbante postin e kryetarit të Komunës, shkruan Indeksonline.

Vlera me të cilën ishte paralajmëruar të shitej kjo veturë ka qenë 42 mijë euro.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, te këndi i shitjes së aseteve çmimi minimal i është caktuar në vlerën e 31 mijë eurove.

Në publikimin e ofertës së Komunës janë bërë të ditura edhe detajet nga kjo veturë, përfshirë kilometrat e vitin e prodhimit.

Me veturën që vozitej kryeministri Mustafa ish kryetar i Prishtinës, janë bërë 75 mijë e 182 kilometra.

Viti i prodhimit është 2011.

“AUDI Q7 Tipi: 4.2 V8 – TDI, Kilometrat e kaluara: 75182, 5 Dyer, Viti i prodhimit: 2011, Ndërruesi i shpejtësisë: Automatik, Ngjyra: e zezë, I çregjistruar “, janë detajet e dhëna në  publikimin e kësaj oferte.

Afati i fundit për oferta është 8 maj 2017. Pas kësaj date ofertat nuk pranohen.

“Informata shtesë mund të merren nga:   përgjegjësi i garazhes se automjeteve të Komunës z. Shaban      Maliqi  Ofertat duhet të dorëzohen në Komunën e Prishtinës – zyra pritëse nr. 6. me datën 08/05/2017 ne ora: 14:00.   Ofertat e vonuara do të refuzohen”, bëhet e ditur më tej në ofertën e publikuar.