Del renditja mujore (e prillit) e FIFA-s për kombëtaret e globit. Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Christian Panucci, ka ngjitur dy vende, edhe pse pësoi humbje 1-0 në miqësoren e 26 marsit me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”.
Kuqezinjtë tanë mbajnë tashmë vendin e 56-të në këtë klasifikim mujor, duke marrë njëfarë “ngushëllimi” pas disfatës dhe paraqitjes së dobët me norvegjezët, në sfidën e parë të vitit 2018.

Në fakt, edhe për muajin mars, Shqipëria pati ngjitur një vend, pa luajtur fare. Po një pozicion, pa luajtur asnjë ndeshje, pati ngjitur kombëtarja jonë edhe në muajin shkurt 2018.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA.

Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit.

Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.