Drejtuesi i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, Arsim Sinani thotë se kabineti i ardhshëm qeveritar ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm dhe të kualifikuar për t’i prirë proceseve shumë të rëndësishme për Maqedoninë si shtet.

“Në Maqedoni, në pozitat udhëheqëse nuk ka nevojë vetëm për njerëz të përgjegjshëm, po ka nevojë për njerëz të cilët deri më sot nuk kanë bartur pozicione publike dhe nuk kanë qenë të përzier në asnjë formë në krimet ekonomike,njerëzore, si dhe ato kulturore që i janë bërë Maqedonisë”, thotë Sinani.

Në Maqedoni, vijon ai, ka nevojë të shihen si nga pala shqiptare ashtu dhe ajo maqedonase, njerëz të ditur dhe të guximshëm të cilët do të dinë ta orientojnë vendin në rrugën drejt perëndimit.

“Nëse partitë shqiptare mendojnë që edhe më tej të instalojnë njerëz që në një formë apo tjetër e sollën gjendjen e shqiptarëve ashtu siç është sot, çështja shqiptare dhe raportet shqiptaro-maqedonase do të prolongohen sa i përket avancimit”, thotë Sinani. (INA)