Sipas Entit të Statistikës, në vitin 2016 nga gjithsej 33.200 fëmijë të regjistruar në çerdhet publike 29817 (92%) janë të përkatësisë etnike maqedonase dhe 2558 (8%) fëmijë të përkatësisë etnike shqiptare. Sipas të njëjtit burim, në këto institucione në 1301 grupe aktiviteti zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në 98 grupe në gjuhën shqipe.

Në komunat Aerodrom, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Qendër dhe Kisella Vodë, Kërçovë, Krushevë nuk ka grupe në gjuhën shqipe në seksionin çerdhe, kopshte, dhe grupe të përfshira në forma jo- institucionale të aktiviteteve. Komunat siç janë Haraçina (11597 banorë), Bogovina (28997 banorë), Vrapçisht (25399 banorë), Tearca (22454 banorë) nuk kanë çerdhe në territorin e tyre.

Ndërsa komuna si Rosoman, Pehçevë, Çeshinovë dhe Obleshevë që së bashku kanë më pak banorë se Tearca kanë çerdhe në territorin e tyre (Të dhëna nga Enti Statisikor). Prandaj edhe nuk janë të rastësishme edhe rezultatet e PISA (Programit ndërkombëtar të vlerësimit të nxënësve) ku nga 70 shtete Maqedonia është ranguar e 67-ta.