Stojançe Angelov, ish-komandant i njësit ushtarak në vitin 2001 – “Luanët”, ka vënë lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, shkruan gazeta KOHA. I shoqëruar nga Abedin Zymberi, ish-ushtarak i UÇK-së, Angelov merret vesh se së bashku me Zymberin, kanë marrë përsipër “pajtimin” shqiptaro-maqedonas”, iniciativë kjo e përfolur javë më parë në kuluaret e zyrtarëve të LSDM-së.

Megiithatë, prania e Angelovit tek varrezat e dëshmorëve të UÇK-së nuk është pritur mirë nga familjarët e dëshmorëve. Orhan Osmani, djali i dëshmorit Remzi Osmani nga Sllupçani, i ka apeluar të gjithë atyre që shoqërohen me vrasës, siç e quan ai Angelovin, të takojnë edhe në shtëpitë e tyre nëse duan, por jo tek varrezat e përbashkëta të UÇK-së, dëshmorë këta që ranë në beteja pikërisht nga Angellovi dhe shokët e tij.
“Sot, dëshmorët e UÇK-së në Sllupçan u u përdhosën dhe u shkelën nga çizmja sllave, nga ajo që në 2001, me gjithë aparatin shtetëror, nuk mundi të futet në fshat. Vrasësi i djemve dhe familjarëve tanë, Stojanço Angelov, i njohur si Komandant i “Lavovi” në luftën e 2001, paska vënë lule në varrezat e dëshmorëve, aty ku prehen eshtrat e më të mirëve dhe më të dashurve tanë.
Turpi dhe tradhtia brira nuk kanë, sidomos kur një kriminel dhe vrasës i shqqiptarëve, shoqërohet nga një pjesëtarë i UÇK-së.
Takimin me vrasësin Stojançe mund ta bëni kur të doni, edhe në sjtëpitë tuaja po të doni, por jo në varrezat e krenarisë, aty ku pushon kujtimi më i dashur dhe më i dhimbshëm i joni”, shkruan Orhan Osmani, djali dëshmorit të UÇK-së, Remzi Osmani. Në rrjetet sociale kanë reaguar edhe familjarë tjerë të dëshmorëve, ndërsa kanë akuzuar për tradhti jo vetëm ndaj familjarëve, por edhe ndaj amanetit të UÇK-së dhe amanetit të dëshmorëve.
Ndryshe, gazeta KOHA merr vesh se vizita e Stojançe Angellovit nuk ishte vendosur sot për sot, por që është planifikuar muaj më parë, ndërsa pas iniciativës së ashtuquajtur “pajtimi shqiptaro-maqedonas” qëndron LSDM, ndërsa është paraparë që dhe shoqëruesit shqiptarë të Angellovit të vënë lule tek “branitellat” e 2001-shit. (koha.mk)