Hirmijete Çilafi

Studentët dhe të rinjtë në përgjithësi kanë shumë pak vullnet për t’u angazhuar në Organizatat jo qeveritare. Edhe pse të njëjtat ofrojnë kushte të mira për kalitjen e tyre, qoftë për profesionet e tyre të ardhshme, qoftë për aktivitete me karakter human dhe për të mirën e shoqërisë.

Për të elaboruar më shumë këtë temë redaksia e gazetës tonë pati mundësinë që të interviston zonjën Shermin Mamut, pjesëmarrëse në shumë projekte të Bashkimit Europian, aktiviste në më shumë organizata dhe një ish aktiviste në sektorin joqeveritar.
“Sektori joqeveritarë është një burim i pashtershëm i njohurive për të rinjtë dhe studentët. Projekte të shumta që inicohen shpeshherë e vendosin studentin si target grupë e parë, e cila përfiton nga aktivitete të ndryshme, qoftë si pjesëmarrës në trajnime dhe punëtori poashtu edhe në masa të drejtpërdrejta për subvencionime të ndryshme për inicim të bizneseve të ndryshme. Studentët që vijnë nga grupet e margjinalizuara janë jashtëzakonisht të favorizuara. Të rinjtë zakonisht aspak nuk e marrin parasysh përvojën që do ta fitonin e që do të mund tu sjell atyre suksese te mëdha në të ardhmen, kur do të ndërtojnë në mënyrë stabile punën profesionale që do ta bëjnë. Kam përshtypjen që një i ri mendon që është më mirë të qëndrojë rrugëve se sa të ketë angazhim me të hyra të ulëta. Kuptohet në këtë që e them për fat shumë të keq përkrahës janë edhe prindërit, të cilët ndihmojnë në pasivizimin e fëmijëve”, theksoi Sh.Mamut.
Ajo veçon se edhe përkundër mundësive të shumta që ofron sektori joqeveritar, motivi i studentëve jo çdo herë është në nivelin e dëshiruar.

“Shpesh, OJQ ballafaqohen me problemin e masivizimit të ngjarjeve të tyre. Mungon iniciative dhe vullnet i të rinjve për kyçje në aktivitete joformale të cilat bartin me vete shumë përfitime të afirmimit personal të studenteve dhe krijimin e njohjeve dhe kontakteve të reja”, tha për gazetën Lajm aktivistja Mamuti.
Miranda Rameti, aktiviste në sektorin civil tregon se angazhimi permanent i të rinjve në ngjarjet e tyre paraqet sfidë në vete projekt pas projekti.

“Mendoj që ka dy versione që mund të ceken si probleme primare për të rinjtë: Mosinformimi i mjaftueshëm – këtu kisha cek se mediat thuajse aspak nuk realizojnë emisione për të rinjtë, nuk u japin hapësirë të mjaftueshme t’i eksponojnë sukseset e tyre që të rinjtë tjerë pasiv të zgjohet dëshira e suksesit. Në këtë aspekt edhe OJQ-të shumë pak i tërheqin të rinjtë për aktivitete. Rinia nuk është e vetëdijshme që nuk duhet të jesh gjeni, apo student me një mesatare 10.00 për të qenë vullnetar i ndonjë projekti që është në dobi të shoqërisë. Në anën tjetër ballafaqohemi edhe me një dukuri tjetër e cila është: mosinteresimi te të rinjtë – për fat të keq kemi një numër të madh te të rinjve që janë pasiv sa i përket aktiviteteve apo punës me të hyra të ulëta mujore” u shpreh Rameti.
“Duke pasur parasysh indeksin e lartë të papunësisë në Maqedoni në njërën anë, ndërsa në anën tjetër një sërë mundësish që na ofron sektori joqeveritar, por që nuk shfrytëzohen nga të rinjtë, atëherë mund të themi se studentët nuk janë të përgatitur t’i përballojnë sfidat që ka në vete ky sektor për shkak se sistemi edukativo arsimor i Maqedonisë është jo aq i zhvilluar”, përfundoi ajo.