Konsumimi i më shumë çokollatave nga një komb, rrit shansin për të fituar çmime “Nobel” – ose së paku kjo është çfarë tregon një studim i kohëve të fundit. Po sa shumë çokollatë hanë nobelistët dhe si mund të shpjegohet një lidhje e tillë?

Autori i studimit, Franz Messerli, i Universitetit të Kolumbias, filloi të mendojë për fuqinë e çokollatës, pasi lexoi se kakaoja të bën mirë. Një studim sugjeronte se konsumimi i rregullt i kakaos sjell përmirësim të funksionimit mendor mes pacientëve të moshuar me dëmtime të lehta konjiktive, një situatë që shpesh i paraprin dementias.

“Ka të dhëna për minjtë që tregojnë se ata jetojnë më vonë dhe kanë funksionim më të mirë konjiktiv kur hanë çokollatë, madje edhe përtacët tregojnë kujtesë të përmirësuar kur hanë këtë lëndë magjike”, thotë ai.

Messerli mori numrin e fituesve të çmimeve “Nobel” në një vend si tregues të inteligjencës së përgjithshme kombëtare dhe e krahasoi me nivelin e konsumit kombëtar të çokollatës. Rezultatet – e publikuara në gazetën e Mjekësisë së Nju England – qenë mbresëlënëse.

“Kur mat korrelacionin mes të dyjave – konsumi i çokollatës shkon krah për krah me numrin e çmimeve “Nobel” për frymë në një vend”, thotë ai.

Testet statistikore që kryhen për të parë nëse korrelacioni ka shanse të jetë rastësisht apo jo, treguan se në këtë rast, probabiliteti është 1 në 10 mijë që ky korrelacion të ketë ndodhur rastësisht.

Pra nuk ka pse të habitet ndokush që Zvicra rezultoi me inteligjencën më të lartë të krijuar nga çokollata, pasi ka njëkohësisht konsumin më të lartë të çokollatës për frymë dhe numrin më të lartë të nobelistëve për frymë.

Suedia, nga ana tjetër qe një anomali. Ajo kishte një numër shumë të lartë fituesish të çmimeve “Nobel” dhe një nivel shumë të ulët të konsumit të çokollatës.

Messerli për këtë ka një shpjegim. “Siç dihet, çmimi “Nobel” dhurohet dhe vlerësohet në Suedi, [me përjashtim të çmimit “Nobel” për paqe pra mendoj se suedezët janë lehtësisht të njëanshëm ndaj patriotëve të tyre”.

“Një hipotezë tjetër mund të jetë që suedezët janë shumë të ndjeshëm dhe një sasi e vogël çokollate mjafton për të stimuluar shumë inteligjencën e tyre”, shton ai.

Ne kryem një vëzhgim tonin, tërësisht joshkencor për të parë se sa shumë çokollatë kanë konsumuar fituesit e çmimeve “Nobel”.

Christopher Pissarides, nga shkolla ekonomike e Londrës, thotë se konsumimi i çokollatës nga ana e tij qe në themel të fitores së çmimit “Nobel” në ekonomiks në vitin 2010.

“Përgjatë të gjithë jetës sime, që kur isha një djalë i vogël, çokollata ka qenë pjesë e dietës time. Unë shpesh e konsumoja çdo ditë. Qe një nga ushqimet që më ngrinte humorin. Për të fituar çmimin “Nobel” duhet të bësh diçka që të tjerët nuk e kanë bërë dhe çokollata që të ndihmon të ndihesh më mirë, mund të të ndihmojë. Natyrisht nuk është faktori kryesor por… çdo gjë që ndihmon për një jetë më të mirë ndihmon edhe në cilësinë e punës tënde”.

Gjithsesi, Rolf Zinkernagel – një nobelist i mjekësisë përgjithësisht i arsimuar në Zvicër, kundërshton tendencën kombëtare.

Suedezët hanë dy herë më pak çokollatë sesa gjermanët, por ky vend ka dy herë më shumë çmime “Nobel” për banorë… mos ndoshta lidhet me konsumin e qofteve?

“Unë jam jashtë kësaj skeme, sepse nuk ha shumë çokollatë – nuk kam ngrënë kurrë më shumë se gjysmë kilogrami në vit”, – thotë ai.

Robert Grubbs, një amerikan që fitoi çmimin “Nobel” për kimi më 2005, thotë se ai konsumon çokollatë sa herë që është e mundur. “Kam një shok që më prezantoi me çokollatën dhe birrën kur ne ishim të rinj. Tashmë e kam ndryshuar paksa, jam i bazuar te çokollata dhe vera. Më pëlqen ecja në mal dhe ha çokollatë pasi lodhem. Ha çokollatë sa herë më del rasti”, thotë ai.

Por ky është një debat i hapur. Bashkëkombësi i Grubbs, Eric Cornell, i cili fitoi çmimin “Nobel” në fizikë më 2001, i tha “Reuters”: “Ia atribuoj të gjithë suksesin tim sasisë së stërmadhe të çokollatës që konsumoj. Personalisht ndiej se çokollata me qumësht të bën budalla… çokollata e zezë është ajo e duhura. Çokollata me qumësht është diçka e vlefshme kur dëshiron çmim “Nobel” në mjekësi apo kimi, por nëse e do në fizikë, atëherë duhet të jetë çokollatë e zezë”.

Por kur BBC e kontaktoi atë për të komentuar më shumë, ai ndryshoi qëndrim.

“Më vjen keq për komentet e nxituara që bëra në media. Ne shkencëtarët duhet të ruajmë objektivitet dhe paanshmëri dhe të përmbahemi nga deklaratat e bindjeve tona sa i përket çokollatës me qumësht apo çokollatës së zezë”, tha ai.

“Tashmë i lutem medias të respektojë privatësinë e familjes time në këtë kohë të vështirë”, shtoi ai.

Por megjithëse japonezët dukshëm gëzojnë një vakt të mesëm me bazë çokollate, konsumimi i tyre i çokollatës është relativisht i ulët – njësoj siç është edhe seria e çmimeve “Nobel” të fituara prej tyre.

Kjo mund t’ju habisë se ne po përpiqemi të bëhemi seriozë në këtë pikë. Ky është një rast klasik ku korrelacioni, sado i fuqishëm, nuk nënkupton se përfshin mekanizmin shkak-pasojë.

Messerli na dha ne një shembull tjetër. Në Gjermaninë e pasluftës, lindja e fëmijëve shënoi rënie dhe e njëjta gjë ndodhi me popullatën e lejlekëve. A mos ka ndonjë lidhje mes dy fakteve?

Përgjigjja qe se më shumë shtëpi po ndërtoheshin, gjë që shkatërroi habitatin e lejlekëve. Dhe të gjitha shtëpitë qenë të vogla, jo shumë të përshtatshme për të krijuar një familje të madhe.

“Kjo është një formë arsyetimi shumë e përhapur”, thotë ai.

“Kur ti sheh një korrelacion, mendon menjëherë se mund të ketë një lidhje shkakësore nga njëri krah apo një tjetër. Dhe në përgjithësi kjo është tërësisht e vërtetë. Por ka shumë raste klasike kur ne nuk gjejmë dot një shpjegim bindës se pse dy faktorë kanë korrelacion me njëri-tjetrin”.