Regjisori Sulejman Rushiti ka bërë të qartë se nuk tërhiqet nga gara për kreun e komunës së Gostivarit në zgjedhjet e 15 tetorit. Ai ka theksuar se përkrahja për të po shtohet dita ditës dhe se po bëhen analiza lidhur me vendimin final.

Të nderuar miq, siç po afrohen zgjedhjet lokale, shtohen pyetjet Tuaja në inbox, në lidhje me kandidaturën time.
Jam i detyruar edhe njëherë të bëj disa sqarime. Propozimi që unë të jem kandidat i mundshëm erdhi si pasojë e diskutimeve me një numër të madh të elitës intelektuale, të afaristëve, qytetarëve të pavarur dhe shumë anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët dhe një pjesë e anëtarëve të Besës në Gostivar.
Këtë ide tashmë e kanë përqafuar me mijëra qytetarë të Gostivarit të cilët duan ndryshime rrënjësore në mënyrën e menaxhimit të resurseve të komunës.
Të nderuar, ekipi jonë i analizon me vëmendje zhvillimet dhe në emër të tyre, Ju siguroj që në momentin e duhur do të marrim vendimin e duhur.
Ju siguroj, në emër të mijëra përkrahësve, se ne jemi të përgjegjshëm dhe çdo vendim që do ta marrim do të jetë në të mirë të qytetarëve, të atyre qytetarëve që duan ndryshime.
Vetëm një gjë mund të na step, vetëm ideja që mos bëhemi ne shkaktar të përçarjes! Ne veprojmë me parimin: Nuk vlen asnjë fitore nëse e humbim arsyen!