Policia suedeze njoftoi se ka arrestuar një person pas sulmit që tronditi Stokholmin këtë të premte, kur një kamion mësyu drejt turmës së njerëzve në një rrugë me dyqane, e u përplas me njërin prej tyre në sheshin qëndror të kryeqytetit, duke vrarë 4 persona dhe duke plagosur 15 të tjerë, në atë që kryeministri i vendit tha se duket të jetë një sulm terrorist.

Më herët, policia kishte publikuar foton e një personi që mbante një xhup gri, ndërsa nuk përjashtojmë mundësinë që të jenë përfshirë edhe agresorë të tjerë në këtë sulm.

“Kemi një person të arrestuar, i cili mund të ketë lidhje me ngjarjet e sotme në Stokholm”, tha zëdhënësi i policisë, Toëe Hagg. Përgjegjësinë e sulmit, gjithsesi, ende nuk e ka marrë përsipër askush.

Disa pjesë të sheshit qëndror të Stokholmit u rrethuan nga policia dhe zona e evakuua, përfshi stacionin kryesor të trenave. Të gjitha linjat e trafikut të metrove u ndalën me urdhër të policisë, sikurse u mbyllën edhe zyrat qeveritare.

“Suedia është sulmuar. Gjithçka në dinamikën e ngjarjes na bën të mendojmë se ishte një sulm terrorist”, tha kryeministri Stefan Lofven, gjatë një vizite në pjesën perëndimore të vendit. Ai u kthye menjëherë në kryeqytet, nga sa raportohet.

Forca policore dhe personeli i shërbimeve të emergjencës shkuan në vendngjarje, aty ku gjurmë të gjakosura gome treguan edhe itinerarin e përshkruar nga kamioni në “Drottninggatan”, apo “Rrugën e Mbretëreshës”.

Kamioni ishte vjedhur teksa bënte furnizimin e një lokali me birra në këtë rrugë, tha Marten Lyth, zëdhënës i “Spendrups Breëery”. Një person i maskuar u ngjit në kabinë, ndezi kamionin dhe nisi ta ngiste në drejtim të këmbësorëve.

Policia njoftoi orët e vona të mbrëmjes se 4 persona kishin ndërruar jetë dhe 15 ishin plagosur. Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve “TT”, mes të plagosurve është edhe shoferi i kamionit, i cili u përpoq të ndalonte agresorin.

Sulme të ngjashme me kamiona që shkojnë drejt turmave të njerëzve kanë ndodhur në Europë gjatë vitit të kaluar. Që prej vitit 2010, Al Qaeda i ka nxitur militantët e saj të përdorin pikërisht këtë metodë si armë ndaj vendeve të perëndimit.

Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmit në Nicë të Francës, gjatë korrikut të kaluar, ku vdiqën 86 persona mes festimeve të ditës së Bastijës, ndërsa një tjetër sulm i ngjashëm ndodhi edhe në Berlin, në dhjetor, ku kamioni që u përplas me këmbësorët në një treg Krishtlindjeje vrau 12 vetë.