Saimir Tahiri e ka quajtur të paprecedentë kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda për t’i kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit për të bërë arrestimin e tij me akuza për trafik droge gjatë detyrës si ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas tij, më minimalja duhej kërkuar që ai të hetohej, dhe jo të arrestohet pa i dhënë asnjë provë Kuvendit për akuzat e ngritura. E gjitha nisi pasi emri i Tahirit doli në disa përgjime të kryera nga prokuroria italiane për një bandë droge të kryesuar nga Moisi Habilaj, i arrestuar atje, dhe kushëri i largët me Saimir Tahirin.

“Nesër Këshilli i Mandateve mblidhet pas kërkesës së prokurorisë për t’më arrestuar. Nuk kërkon as t’më hetojë, por t’më arrestojë. Kuvendi është thirrur të votojë nëse do arrestohem apo jo, nëse unë do shkoj në burg apo jo. Prokuroria ka kërkuar një gjë që nuk e ka kërkuar për asnjë politikan në Shqipëri. Unë jam njeriu që nuk i kam kursyer fjalët për prokurorinë, për gjyqtarët. Përsakohë unë jam një subjekt, që Prokuroria më ka marrë në hetim, unë do rezervohem të flas. Por sigurisht unë një ditë do flas. Pas mbledhjes së komisionit unë i bie të arrestohem. Nëse prokuroria ka kërkuar pse dy barbonë flasin me njëri tjetrin dhe më përmendin mua dhe prokuroria për këtë arsye më akuzon….prokuroria nuk ka çuar asnjë provë në kuvend. Unë i bie të arrestohem pse dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin dhe përmendin mua. Prokuroria do t’më arrestojë menjëherë vetëm se më përmendin dy njerëz. Unë kam qenë Ministër, kriminelë të caktuar kanë përmendur emra politikanësh vetëm për të lënë rekorde kastile nëpër tabulate. Sikur dy kriminelë të arrestonin emrin tënd Fevzi, do arrestoheshe ti?”, – tha Tahiri.

I pyetur se a do të shkojë në Komision Tahiri tha: Padyshim.

Tahiri shtoi se nuk ka ndër mend t’i kërkojë askujt që ta mbështesë apo t’i shtrijë dorën që ta mbrojë.