Avniu kishte tre vjet pa punë. Me rritjen e prodhimit në fabrikën e Sylejman Konushevcit, pas vënies së taksës prej 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake, u punësuan 20 persona. Ndër ta edhe Avniu.

“Jam i papunë qe tre vjet, por, pata fatin që kësaj radhe në kompaninë “Bio Oil” që në mesin e 20 të punësuarve të jem edhe unë aty. Jemi duke punuar mirë, puna po ecën mirë. Falë taksës që i ka vënë Qeveria e Kosovës Serbisë dhe Bosnjës. Jam i kënaqur me këtë punë dhe besoj se sa do të zgjasë kjo taksë qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë më të presin para ambasadave për të ikur nga Kosova”, shprehet Avni Glloboderi, një punonjës.

“Diku afër 40 për qind është rritur shitja dhe prodhimi. Kështuqë, kemi qenë të detyruar të punësojmë njerëz pasi që kërkesat e tregut çdo ditë po rriten”, deklaron Sylejman Konushevci, pronar i një kompanie.

Ministri i Zvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, theksoi se ka pasur takime me pronarët e bizneseve të vendit nga të cilat është bërë e ditur se taksa ka ndikuar në rritjen e konsumit të prodhimeve vendore e cila, gjithashtu, ka ndikuar në luftën kundër papunësisë.

“Kur po bisedojmë me prodhuesit vendor, të gjithë po raportojnë për rritje të prodhimit. Kur ndikon në rritje të prodhimit, ndikon edhe në rritje të punësimit. është shumë herët të flasim për statistika për rritjen e punësimeve por po e përsëris që është një trend pozitiv te të gjitha bizneset”, tha Valdzin Luka, ministër i MZHE-së.

Përmirësimi i gjasave për punësim për qytetarët e Kosovës paraqet sfidë për zhvillimin shoqëror e ekonomik, mirëpo, kosovarët janë më optimistë që tash e tutje do të krijohen më shumë vende të punës dhe papunësia do të zbutet.