Dr.Arben Taravari

Jam në muajin e 12 të mandatit tim. Çdo ditë e kam të numëruar se çdo ditë ka qenë një sfidë më vete. Shumë veta festuan kur fituam. E dija se të gjithë ata tashmë ishin përgjegjësia ime, por jo vetëm ata. I gjithë qyteti tashmë i kishte dhe i ka sytë nga unë. Është barrë e vështirë kur mendon që tashmë të gjithë ata që të kanë besuar presin se çfarë do ndodhë, pak më shumë kur mendon për fëmijët e tyre që as nuk duan ta dinë për bllokim fondesh, për obstruksione politike, për manovra jo të ndershme. Fëmijët nuk duan t’ia dinë për inate të rriturish. Bashkë me votuesit e mi, në të njëjtin vend jetojnë dhe ata të cilët edhe pse nuk më besuan kanë të drejtë të plotë të presin prej meje njësoj. Unë nuk isha më një përfaqësues politik, unë isha kryetar i një administrate që ka për qëllim të përmirësojë jetën e çdo banori të Gostivarit pa marrë parasysh bindjet politike, etni, fe apo ngjyrë.I vetëm nuk do mundesha të rrija një ditë në detyrë. Ju siguroj që do ishte e pamundur. Por fati im i madh ishte që njerëzit e kuptuan që duhej të gjithë të punonim, sakrifikonim në emër të së mirës së përbashkët. Unë hyra me ekip dhe jam falënderues pikërisht Skuadrit.Në radhë të parë atyre djemve e vajzave të cilët punuan orë e pa orë gjatë fushatës e sot janë të papunë. Është e jashtëzakonshme dhe një leksion i madh qytetarie për mua se si edhe në këto kushte vazhdojnë dhe përpiqen në krah tim që të arrijmë premtimet tona. Faleminderoj të gjithë ata që dhanë dhe japin për Gostivarin pa marrë parasysh 8 orëshin, por kanë qëllim të mbarojnë punët sa më mirë! Si çdo fillim edhe yni është i vështirë. Ka shumë shkopinj në rrota, por ne kemi përveshur krahët dhe vrapojnë nga zyrat në baltë e anasjelltas që të mos ngecim në rrugëtimin tonë. Unë personalisht lodhem ndonjëherë shumë, sidomos kur kam 100 takime në ditë me 1000 kërkesa, por më besoni që çdo njërën prej tyre e kam sfidë, qëllim që dua ta përmbush. Nuk kam shkop magjik, oh sa do doja të punësohej kushdo, të kishin njerëzit nivel më të lartë jetese, por e dini?
Unë nuk pres mrekulli. Unë punoj për këtë gjë me vetmohim, unë e di se ndoshta asnjëherë s’do i kënaq të gjithë, por jam i qetë pasi unë jam përpjekur dhe do përpiqem në maksimumin tim për të gjithë. Kur them të gjithë, nënkuptoj çdo qytetar të Gostivarit, nga fshati më i largët e deri në zemër të qytetit. Theksoj që kjo nuk është çështje partie, kjo është çështje Dashurie për njerëzit dhe jetën. Kështu me këtë përshtatje kemi bërë hapa të vegjël por nuk jemi ndalur dhe vazhdojmë të ecim.
Janë shtruar dhe vazhdojnë shtrohen rrugë përditë. Nga shumica e kolegëve të mi kam parë që këto punë bëhen nga fundi i mandatit për të marrë sigurinë e mandatit të ardhshëm. Ky veprim më duket pazar aspak korrekt me qytetin dhe qytetarët. Unë as nuk mendoj për kandidaturën e ardhshme. Mendimet e mia janë të gjitha të fokusuara tek rruga, kanalizimi, fshati, lagjja e radhës.
Do vazhdojë kështu, sigurisht me ekipin tim, që nuk janë vetëm ata që punojnë, por është i gjithë qyteti. Është çdokush pavarësisht partisë, ngjyrës, fesë apo kombit. Mjafton të jetë gostivaras! Dinjiteti i qytetarëve të mi është Motivi Im! Jam i lumtur që zemra e çdo bashkëqytetari tim rreh në vendin e duhur. Jam krenar që jam një prej tyre.
Jam krenar për Gostivarin Tonë!