Unë kam zgjedh qytetin tim!

Si shenjë përulje ndaj prindërve të mi të shtrenjtë, të cilët më lindën dhe më rritën pikërisht në Gostivar!

Si shenjë përulje ndaj qytetit i cili midis çajit të ngrohtë, oksanit dhe humorit, ka ditur të nxjerrë djem dhe vajza të mrekullueshëm! Intelektualë e zanatçinj të cilët së bashku me mua, kudo që jetojmë kemi një gjë të përbashkët: Gostivarin!

Unë u emërova ministër i Shëndetësisë, vetëm tash që bëra publik vendimin për të kandiduar për Kryetar Komune i Gostivarit, kuptova që sado që ishin shumë skeptikë, kisha shumë dashuri dhe mirënjohje nga ju, për të cilën ju falenderoj por duhet të falenderoj dhe gjithë ekipin tim, sepse pas punës të mirë nuk jam vetëm unë, por i gjithë ekipi ynë për të cilin jam krenar. Ky është një ekip që ka njerëz të kualifikuar të cilët tashmë kanë një sistem që funksionon, sistem që jam i sigurtë se do të vazhdojë të frymojë mirë!

Ministrisë do i iki një njeri por mentaliteti i punës, i cili tashmë varet nga Ekipi, mbetet!

Kurse Gostivari ka nevojë për ndihmë urgjente. Unë jam biri i tij dhe e quaj të padiskutueshme që do jem aty për të dhënë kontributin tim për këtë qytet i cili duhet dhe do të ndryshojë!

Gostivari ka dinjitet, ka në çdo shtëpi, në çdo rrugë e cep të tij, por hija e rëndë e pazareve të historisë të shëmtuar politike e kanë katandisur në një fotografi bardh e zi. Shpresat ia hedhin përditë në kosha mbeturinash të rinjve të Gostivarit, të cilët duan vetëm të ikin. Mbyllen dyer të mëdha, dyer që dikur kanë qënë krenari e qytetit, e ato që kanë mbetur hapur kërcasin nga dhimbja e fëmijëve që kanë larg, nga mungesa e punës, nga mungesa e të ardhmes…

Unë nuk mendoj se do të bëj ndonjë magji e papritut gjithshka do të rregullohet në Gostivar, jo! Por unë mendoj që ka ardhur koha të marrin fatin e shtëpisë tonë në dorën tonë. Duke u mbledh gjithë bashkë, duke punu ndershëm e me vetmohim do mund që në radhë të parë të kthejmë Shpresën e pastaj gjithë të tjerat që jam absolutisht i bindur se mundemi!

Të bëjmë tani atë për të cilën nuk do kemi më kohë tjetër!

Koha jonë, e brezit e tim, është koha e përgjegjësive të dyfishta, jemi përgjegjës para prindërve tanë dhe jemi para fëmijëve. Gostivari është familja ime. Ne jemi një familje e madhe! A keni dëgjuar për ADN-në? Është një zinxhir që e marrim prej paraardhësëve tanë, ku qëndron trashigima, dhe jam i bindur që ne kemi të gjithë Gjene të përbashkëta, të cilat na bëjnë ta duam njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha Gostivarin! Gostivari është Shtëpia Jonë!