Kanë vijuar reagimet pasi në opinion jozyrtarisht qarkulloi draft- versioni i Ligjit për tatim personal. Reforma tatimore e Qeverisë parasheh që, qytetarët që gjatë vitit kanë realizuar të ardhura mbi 720.001 denarë ose mbi 1000 euro në muaj, të paguajnë tatim personal prej 18%.

Të ardhurat e realizuara nga pronësia intelektuale, qiraja, fitimi kapital, lojërat e fatit dhe nga sigurimi, do të tatohen me normë prej 15%. Me tatim të ngjashëm prej 15%, do të tatohen edhe normat e interesit që qytetarët i kanë marrë nga kursimet në banka, e që kapin shifrën prej mbi 15.000 denarë në vit.

Draft- versioni i Ligjit për tatim personal
– Për të ardhura nga puna, veprimtaria e pavarur, të drejtat autoriale dhe të ngjashme dhe shitje të produkteve personale bujqësore, tatimi të paguhet me normë progresive.

– Për të ardhura vjetore deri më 720.000 denarë, do të paguhet normë tatimore prej 10%, ndërsa për vlerë prej 720.001 denarë, do të paguhet normë tatimore prej 18%.

– Për të ardhura nga pronësia intelektuale, qiraja, kapitali, fitimet kapitale, lojërat e fatit dhe për sigurim, do të paguhet tatim me normë të vetme prej 15%.

– Normë tatimore prej 15% për depozita të qytetarëve dhe kompanive për të cilat, të njëjtit kanë realizuar normë interesi mbi 15.000 denarë në nivel vjetor.

Përderisa opinioni reagon, as Ministria e financave e as ekspertët nuk deshën zyrtarisht të komentojnë çfarë po ndodhë me reformën tatimore që u paralajmërua në mars të këtij viti nga ministri i financave, Dragan Tevdovski. Nga dikasteri i Financave, sot as nuk i konfirmuan, por as nuk i demantuan informatat e draft- versionit të Ligjit.

Shprehen se për ta këto janë vetëm zëra të cilat nuk do t’i komentojnë. Por, në pyetjen nëse është e saktë ajo që shkruan, u përgjigjën se as nuk e demantojnë, e as nuk e konfirmojnë. Paralajmëruan se së shpejti do të publikohet vendimi ligjor, për çka do të ketë debat në opinion.

“Nuk komentojmë spekulime. Ministri i Financave do t’i publikojë ndryshimet ligjore në mënyrë transparente, kur do të jetë gati versioni përfundimtar”, njoftojnë nga Ministria E Financave.

Heshtë edhe opinioni i ekspertëve. Shprehet se qëndrimin e tyre do ta tregojnë pasi që zyrtarisht do të publikohet zgjidhja ligjore. Çdo gjë tjetër për ta është vetëm spekulim për të cilin nuk do të kishin komentuar.

Megjithatë, sipas informacioneve të Alsat M, spekulimet që publikohen në opinion janë dëshmi se ende nuk është gati reforma tatimore që Ministria e Financave e paralajmëroi se do të publikohet në muajin maj. Sipas informacione jozyrtare nga Komisioni që punon në reformën tatimore, ende nuk ka zgjidhje konkrete se çfarë tatimi progresiv të vendoset.

Ka pasur shumë propozime dhe zgjidhje, por ende nuk ka pajtueshmëri nga të gjitha palët për atë se në çfarë drejtimi duhet të lëvizë reforma tatimore. Mosmarrëveshjet janë shkaktuar pasi që të dhënat për realizimin e buxhetit tregojnë të ardhura të rritura, veçanërisht nga arkëtimi i tatimeve. Ministri i Financave Dragan Tevdovski dje tha se ka realizim të shkëlqyeshëm të të ardhurave në Buxhetin, gjegjësisht arka shtetërore mbushet në përputhje me projeksionet. Prandaj, sipas tij, nuk nevojitet as rishikim i buxhetit.