Kryeministri Zoran Zaev pranoi ftesën e udhëheqësit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski për duel në televizion, konfirmojnë për AIM nga Qeveria.

“Hapja ndaj opinionit është një nga parimet bazë në të cilën punon kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev. Vazhdimisht komunikon me opinionin dhe në mënyrë reciproke, nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve, por edhe në debate dhe duele. Kështu që kryeministri Zoran Zaev është i gatshëm për duel televiziv dhe i gatshëm që të ballafaqohet me kundërshtarët politikë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Dueli si duket do të mbahet të mërkurën, sepse Mickovski sot i dërgoi mesazh Zaevit se e “pret të mërkurën në MRTV”.

Deri sa te spektri politik maqedonas po ndryshon mentaliteti i vendosur në kohën e Gruevskit, i cili refuzonte përballjet me liderët opozitarë (cërvenkovski, pastaj Zaev), opinionistët shqiptarë pyeten nëse ky mentalitet do të ndryshojë te spektri politik shqiptar.

Ata pyesin nëse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti do të ishte i gatshëm të pranojë duel me Afrim Gashin, si lider i partisë opozitare shqiptare që ka më shumë deputetë, ose me Zijadin Selën, si lider i partisë opozitare që mori më shumë komuna në zgjedhjet lokale.

Ahmeti në të kaluarën ka evituar disa herë përballjen direkte në duel televiziv me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, si lider i opozitës shqiptare. Opinionistët vlerësojnë se Ahmeti do t’i mbetet besnik stilit të Gruevskit.