Tendenca për të qenë “In “, nxitur edhe nga  modelet që u ofrohen në rrjetet sociale, ka  bërë që vajza  të vogla, të moshës 16 deri në 25 vjeç, të nisin që shpejt ndërhyrjet në fytyrë, për të fryrë buzët apo mollëzat e faqeve, në ambiente të papërshtatshme  si parukeri apo sallone bukurie, ku përdoren substanca të ndryshme kimike nga njerëz jo-profesionistë, pa llogaritur efektet anësore.

“Kjo është grupmosha që edhe ekspozohet më shumë ndaj këtyre ndërhyrjeve edhe për faktin që në këto lloj ambientesh jo-mjekësore, çmimet janë më të leverdisëshme, pra janë më të përballueshme prej tyre, pikërisht për faktin se përdoren produkte të paçertifikuara, të futura në mënyrë klandestine, apo pa cilësinë e duhur”, u shpreh mjekja dermatologe, Erjona Shehu.

Mjekët dermatologë thonë se kur këto ndërhyrje në fytyrë bëhen nga jo-profesionistë, kanë  pasoja të rënda  që çojnë deri në verbim apo shtrembërime të parikuperueshme.
“Nëse flasim për botoksin, nëse ai kryhet nga njerëz jo-profesionistë, që nuk dinë, minimalisht  të mbajnë shiringën, mund të shkaktojë një paralizë të përkohëshme të kapakut të syrit dhe në raste të tjera mund të shkohet deri në verbim të pacientit”, tha mjekja.

Por sipas dermatologëve, të tilla ndërhyrje, që në moshën 16-vjeçare, për një kohë të gjatë mund të çojnë në deformime, të cilat kërkojnë ndërhyrje të specializuara kirurgjikale.