Gjiganti i teknologjisë, Samsung, është i gatshëm që të lansojë telefonin e saj të parë të palosshëm, thonë burimet e brendshme nga kompania, shkruan GSM Arena.

Kjo pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm dhe kompania beson se kjo do të ringjallë kërkesën për telefonat me çmim të lartë.

Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Kur prototipi i Samsungut (me emrin kodues “Winner”) do të shfaqet në treg, thuhet se fillimisht do të synojë lojtarët (gamers) – një audiencë e cila është më pak e ndjeshme ndaj çmimeve, transmeton Koha.net. Do të kushtojë së paku 1,500 dollarë, ndoshta edhe më shumë se kaq.

Ekrani i këtij telefoni të palosshëm pritet të jetë 7-inçësh kur është i hapur, por paloset sikur një portofol, thonë njerëzit që kanë parë këtë prototip. Ekrani është në brendësi kur paloset telefoni, kështu që ekziston një ekran sekondar që mbulon pjesën e përparme dhe në të cilin shfaqen njoftimet dhe kamera kryesore që gjendet në anën e “pasme”.

Samsung, pritet që këtë telefon të palosshëm ta lansojë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm (kur çmimet po ashtu priten të jenë më të lira). Telefoni i palosshëm do të radhitet i treti në linjën e telefonave të avancuar që do t’i lansojë kompania – Galaxy S dhe Note.

Drejtuesit e kompanisë e shohin këtë si një nga revolucionet më të mëdha në dizajnet e smartfonëve dhe këtë projekt e kanë bërë prioritet për Samsungun.

Spekulimet shpesh përmendin një tjetër projekt të Samsungut – një altoparlant të mençur, përcjell koha.net. Ky altoparlantë ka emrin kodues “Lux” dhe burimet brenda kompanisë thonë se do të lansohet së bashku me Galaxy Note9. Do të shquhet si një player i muzikës me teknologji të fundit e çmim prej 300 dollarësh.

Do të mund të kontrollohet [altoparlanti] përmes zërit dhe thuhet se ka aftësinë për të drejtuar zërimin, duke e transmetuar atë tek një person i caktuar në dhomë. Natyrisht, do të mundësohet nga Bixby.