Të paktën 27 të vdekur është bilanci i jetëve të humbura nga tërmeti 8.2 i shkallës Rihter, i regjistruar në oqeanin Paqësor, shumë pranë brigjeve të Meksikës.

Shumica dërrmuese e viktimave janë shënuar atje dhe vetëm një në Guatemalë. Epiqendra e tërmetit, që goditi në 23:50 me orën lokale, ishte në një thellësi prej gati 70 km. Paralajmërimë për cunami u lëshuan menjëherë për Meksikën, Guatemalën, El Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panamanë dhe Hondurasin, ku priten dallgë mbi 3 metra të larta.

Një numër i madh banesash u rrafshuan në shtetin Chiapas dhe atë Oaxaca, dy prej zonave më të varfra të Meksikës, të cilat rezultojnë dhe më të goditurat nga fatkeqësia natyrore, pasi ndodhen shumë pranë epiqendrës.

Aq i fuqishëm ishte tërmeti, sa ndërtesat janë lëkundur dhunshëm deri në Mexico City, ndodhur 1.000 km larg. Njerëzit kanë vrapuar të tmerruar nëpër rrugë, disa me pizhama në trup, ndërsa lagje të tëra mbetën në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Lëvizja e tokës zgjati thuajse një minutë.

“Nuk e kisha ndierë ndonjëherë në jetën time tokën të lëkundej në atë mënyrë. Ishte e frikshme”, tha një banor.

“Ishte e tmerrshme, mendova se banesa do të shembej e do të na zinte brenda”, tha një tjetër banor.

Presidenti Enrique Pena Nieto thotë se lëkundjet e tokës mund t’i kenë ndierë 50 milionë meksikanë, e bilanci i vdekjeve mund të rritet sipas tij.

Magnituda e bën këtë, tërmetin më të fuqishëm në Meksikë që prej atij të vitit 1985, që vrau mijëra vetë. Disa paslëkundje janë regjistruar, më e forta e të cilave 5.7 ballë, e sipas presidentit Pena Nieto mund të ketë edhe të tjera.

Si të mos mjaftonte një e keqe e madhe, vendi kërcënohet tani në bregun e tij lindor nga uragani “Katia”, i cili po afrohet me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 140 km/h./topchanel