Shkruan: Xhevdet POZHARI

Ndonëse jetojmë në zhurmën e debateve të pafundme që ushqejnë tifozertitë partiake, ndërsa populli ka mbetur në mes të mjegullës mediatike ku një problem e mbulon tjetrin…
Megjithatë, pranova të jem pjesë e debateve që planifikoi të organizojë Tv Dukagjini me gazetarin Ermal Pandurin për të informuar edhe opinionin e Kosovës lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni, për problemet që ballafaqohen bashkëkombësit e tyre përtej kufirit ku pushtetarë shqiptarë për më shumë se një dekadë angazhohen për terrin informativ. Tash e sa vite, në opinionin mbarëshqiptar prezantohen vetëm pjesëza të realitetit politik shqiptar në Maqedoni dhemë shumë i prirë nga kjo më ngacmoi ideja që të debatojmë me politikanët shqiptarë të Maqëdonisë të cilët mëtojnë të marrin në duar fatin e popullit, apo edhe më tej të vazhdojnë ta kontrollojnë atë.

E, derisa në ekranet televizive u transmetua debati me kryetarin e Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasamin, dhe opinioni pati mundësinë të njihej për së afërmi me vizionin e tij, e njëjta nuk ndodhi me znj. Teuta Arifi e cila zgjodhi në momentet e fundit të tërhiqet nga debati. Më shumë se sa mosrespekt ndaj publikut shqiptar, kjo tërheqje e znj. Arifi ngjanë në orvatje për të ikur nga shpalosja e fytyrës së saj të vërtetë politike, e një politikaneje e cila ka biografi të pasur politike dhe karrierë që ia ka mundësuar asaj ecjen përpara në politikë.

Për ata që nuk do të kenë mundësi ta ndjekin këtë debat shkaku se znj. Teuta Arifi zgjodhi të tërhiqet në momentet e fundit, duhet ta kenë parasysh se bëhet fjalë për një politikane karriera e së cilës ka filluar në kabinetet ministrore të LSDM – së, në mesin e viteve të 90’ta, për të vazhduar më pas si ministre e kabinetit të Nikolla Gruevskit dhe tash së fundmi edhe si e para e komunës së Tetovës ku garon edhe për një mandat të dytë.

E, derisa tashmë thuajse janë harruar emrat e ministrave në kabinetet ku Teuta Arifi ka shërbyer dikur, siç kanë qenë Gyner Ismaili apo Ljubomir Frckovski, Teuta Arifi edhe më tej vazhdon të mbetet një një politikane aktive. Pra, derisa në taborrin politik maqedonas ndërrohen brezat e politikanëve, tek shqiptarët vazhdojnë të mbesin të njëjtit që shëtisin nga njëra parti në tjetrën, e nga njëri post në tjetrin – siç vepron edhe znj. Arifi. Mospjësemarrja e saj në debat, e pamundëson edhe përgjigjen në pyetjen nëse kjo do të thotë se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë kuadro të mjaftueshëm apo nëse kjo kjo flet për mbylljen e partive si dhe shndërrimin e tyre në kompani që vazhdojnë të mbeten në duart e drejtuesve të cilët janë të vetmit që përfitojnë nga beneficionet që sjellë pushteti.

Në monologjet e saj të deritanishme publike, znj. Teuta Arifi vetëm sa nuk ta krijon ndjenjën e keqardhjes se sa rëndë e ka ajo me angazhimet për popullin dhe të imponohet vetvetiu pyetja: nëse e ka aq të vështirë pse nuk ndodhi që një politikan shqiptarë të jep dorëheqje nga politike, por ndodh e kundërta – që me çdoo kusht të luftojë të mbetet në pushtet. Si dhe, si është e mundur që sa më shumë angazhohen politikanë të llojit të Teuta Arifit për popullin, aq më shumë varfërohet populli e pasurohen ata. Ikja e Teuta Arifit nga debati po ashtu pamundëson të dëgjojmë edhe përgjigjen se si është e mundur që një politikan me një pagë prej rreth 1000 eurove, të bëjë pasuri marrëmendëse thuajse është sheik që ka në dispozicion puset e naftës apo kapitalist që ka në pronësi fabrika me përmasa globale. E. Teuta Arifi është një prej atyre politikaneve që sipas deklarimit të pasurisë në pronësi të saj ka një pasuri të madhe dhe do të kemi të pamundur ta dëgjojmë nga ajo se mos politika për të dhe llojin e saj është shndërruar në biznesin më fitimprurës në Maqedoni dhe është shndërruar në parajsë për politikanët, ndërkohë që është bërë ferr për të rinjtë që e braktisin Maqedoninë, duke përfshirë edhe Tetovën që znj. Arifi e drejtoi për katër vite.

Në debatin nga i cili iku znj. Teuta Arifi nuk do të mund ta dëgjojmë as shpjegimin e saj se si u bë që politikanët shqiptarë që ishin në pushtet deri më tani, i shëtitën të gjitha partitë gjithnjë duke u arsyetuar se flijohen për popullin. Edhe vetë znj. Arifi si politikane që karrierën e saj e ka filluar në kabinetet e qeverisë së LSDM’së në kohën kur tetovarët protestonin me laps e fletore për legalizimin e Univeristetit Shtetëror të Tetovës dhe shtypeshin dhunshëm e vriteshin nga njësitet speciale policore. Pra, do të kemi të pamundur të marrim edhe shumë përgjigje nga znj. Arifi e cila u bë më pas edhe ministre në kabinetin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ndërsa sot si kandidate për një mandat të ri në krye të komunës së Tetovës përkrahet jo vetëm nga kryeministri Zoran Zaev por edhe nga Lube Boshkovski që ishte ministri famëkeq i punëve të brendshme gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe prej atëherë mbahet mend si një antishqiptarë i tërbuar.

Dhe së fundmi, një pyetje të cilën ua shtroj edhe publikisht: në vertikalen tuaj njerëzore e politie a ekziston një kufi përtej të cilit nuk shkoni edhe sikur nesër të merr fund karriera e juaj politike? Pra, derisa keni ikur nga debati vetëm dua tju pyes nëse ka një moral njerëzor që nuk do iu lejonte t’i realizoni qëllimet karriersite edhe me ata që deri dje kanë qenë mallkimi i shqiptareve apo veproni sipas parimit se qëllimi i arsyeton gjitha mjetet! Apo, mbase, vetëm i përmbaheni thënies së kryetarit të partisë tuaj i cili deklaroi se “politika është interes”, por pa shpjeguar se a bëhet fjalë për interes personal apo kolektiv!