Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç në një bisedë telefonike kanë ritheksuar nevojën e uljes së tensioneve dhe “zgjidhjen e çështjeve të hapura me dialog dhe në interes të të gjitha palëve”.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se biseda telefonike ndërmjet Thaçit e Vuçiqit u zhvillua të mërkurën në mëngjes në prag të një takimi të dytë në Bruksel, në nivel të lartë politik me lehtësimin e shefes për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Biseda telefonike e presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë është e dyta brenda pak ditësh dhe thuhet se është zhvilluar me ‘qëllim të uljes së tensioneve të ngritura në javët e fundit’ që ngritën një ‘luftë fjalësh’ ndërmjet palëve.