Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka njoftuar të ketë folur me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, të cilit i ka thënë se Kosova është e gatshme të mbyllë kapitullin e konfliktit me Serbinë dhe të fillojë atë të paqes.
“Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, sot përsëri zhvillova një bisedë miqësore telefonike me nikoqirin e këtij Samiti, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se me kryeministrin bullgar ka diskutuar sërish për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron Samiti për të qartësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE”, ka shkruar Thaçi.

“Brenda këtij konteksti, për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes obligative ligjore për normalizim dhe pajtim. Unë e sigurova mikun tim Bojko se ne në Kosovë, jemi të gatshëm që në relacion me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe ta hapim atë të paqes”, ka thënë ai.

“Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi evropianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla. Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij Samiti”.