Kryeministrja e re konservatore britanike merr mbi vete një detyrë jo për t’u pasur zili, mendon Barbara Wesel. Theresa May deklaroi se dëshiron ta bashkojë vendin, por ka hapësirë të vogël politike për të vepruar.
 
“Ajo është një grua tepër e vështirë”, kështu e përshkroi para pak kohësh një koleg i vjetër i partisë Theresa May-n në një emision televiziv. Ndërkohë, ka disa shokë të vjetër partie të saj që thonë se kryeministrja e re është një negociatore e fortë, vendosmëria e së cilës mund të shkojë deri në kokëfortësi.

Një grua me parime, me të cilën nuk mund të bëhen lehtë marrëveshje. Dhe një politikane, e cila dëshiron t’i përcaktojë vetë qëllimet e qeverisë që drejton. Por me vetëm gjashtëmbëdhjetë vota më shumë në parlament ajo duhet t’i bëjë lëshime kampit të djathtë. Dhe mbi çdo gjë rri varur shpata e referendumit të Brexit-it.

Një kupë e helmuar

Kryeministrja e re konservatore deklaroi se dëshiron ta bashkojë vendin. Dhe ngjashëm si Angela Merkeli edhe Theresa May ndërhyn në fushën e opozitës social-demokrate: idetë e saj për një politikë të re industriale, për tejkalimin e dallimeve klasore, për mundësi më të mira jetese për të paprivilegjuarit dhe pakicat etnike tingëllojnë thuajse revolucionare. Por kujdes: edhe David Cameron-i e nisi me qëllime të mëdha por ato u shkrinë, për shkak të rezistencës së brendshme të partisë, një farë mungese qëllimesh si dhe politikën e vetëimponuar të kursimeve.

Por për dekada me radhë nuk ka pasur kryeministër që ka marrë nga paraardhësi i tij një kupë kaq të helmuar. Theresa May nuk ka para për hapa të mëdha politikë: ajo nuk mund të zbatojë as programin e nevojshme të strehimit, as nuk ka miliarda për të rehabilituar sistemin e sëmurë shëndetësor. Ajo nuk ka mjetet për të përmirësuar shkollat katastrofike të qytetit dhe as për modernizimin e infrastrukturës së transportit. Në fakt Theresa May ka hapësirë të vogël politike për të vepruar dhe “brexitësit” do ta shtyjnë nga të gjitha anët.

Çdo gjë sillet rreth Brexit-it

Kryeministrja është shumë e qartë në lidhje me Brexit-in. Ajo ngriti tashmë një ministri për “Braktisjen” dhe askush në kontinent nuk duhet të ketë ndonjë iluzion për vendosmërinë e saj. Por në Londër vazhdon të ketë shitës ëndrrash që pretendojnë se britanikët mund të kenë më të mirën e të gjitha botëve: qasje në tregun e brendshëm dhe kontroll ndaj emigracionit nga vendet e BE-së, të gjitha liritë për tregun e saj financiar, investimet nga e gjithë bota dhe dhjetëra marrëveshje të favorshme tregtare, ajo do të ketë një të ardhme të lavdishme, një lloj Singapori në Kanalin e La Manshit

Por Theresa May nuk është ëndërrimtare. Ajo e di padyshim, se Brexit-i do të jetë i vështirë, edhe pse deri tani askush nuk ka ndonjë përfytyrim për këtë. Që tani shkencëtarët në Oksford po ankohen se do të shkëputen nga fondet kërkimore të BE-së. Kur të mbarojë mbështetja e Brukselit për fermerët britanike, vdekja e fermave do ta trondisë qeverinë. Dhe në qoftë se London City do të humbasë të drejtën për të kryer transaksione në euro, kryeqyteti britanik do të përjetojnë një krizë të re.

Kryeministrja e re përballë Evropës

Kryeministrja e re dhe kancelarja gjermane me përvojë shihen tani si kundërshtare: por Angela Merkel nuk merr dot e vetme vendim për kushtet e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Në fund janë 27 shtetet anëtare të BE-së që vendosin me një zë se çfarë do të shkruhet në vendimin e divorcit. Dhe në këtë mes mbretërojnë interesat vetjakë, për shkak se Britania e prishi solidaritetin.

Theresa May është kryeministja e dytë e Britanisë së Madhe pas Margaret Thatcher. Dhe ndryshe nga ajo Theresa May do t’i japë fund qeverisë së rrjeteve të djemve të vjetër në Westminster. Në kabinetin e saj meshkujt dhe femrat do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë. Po ashtu Theresa May mbath nganjëherë këpucë me mostra kafshësh grabitqare dhe vishet me fustane me ngjyra, apo me kostume me pantallona apo pallto. Të gjitha këto nuk do të thonë asgjë lidhur me punën e saj. Në vitin 2016 për të dhe për ne ka çështje më të rëndësishme. Për fat të keq, më e madhja syresh është Brexit-i.I