TË MOS LEJOJMË NË ASNJË RRETHANË SLLAVIZIMIN E EMRIT. MAQEDONIA KA KUPTIM VETËM SI SHTET BINACIONAL
Shkruajnë:

Amet Gjanaj, deputet në Parlamentin e rajonit të Brukselit dhe Kryetar i Qendrës kulturore “Vatra”.
Arben Fetai, politolog, magjistër i studime evropiane dhe lobist në fushën e çështjeve evropiane dhe të zhvillimit ndërkombëtar.
Liridon Lika, ligjërues dhe studiues në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë, të Shkencave politike dhe të Kriminologjisë pranë Universitetit të Liezhit.
Shpat Myftari, magjistër i shkencave politike dhe Kryetar i organizatës studentore shqiptare Vlera.

Pas rinisjes më 17 janar 2018 të bisedimeve nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së për çështjen e emrit të IRJM-së, Matthew Nimetz, mosmarrëveshja gati tri dekadëshe midis Shkupit dhe Athinës rreth emrit “Maqedoni” është më afër zgjidhjes së saj përfundimtare se kurrë më parë. Sipas disa burimeve mediatike dhe deklaratave politike, marrëveshja historike do të mund të arrihej deri në qershorin e ardhshëm.

Propozimi i Nimetz, i rrjedhur në media, nuk prek çështjen e identitetit kombëtar maqedonas por ai ofron pesë opsione për emrin e shtetit: Republika Gorna Makedonija, Republika Nova Makedonija, Republika Severna Makedonija, Republika Vardarska Makedonija dhe Republika Makedonija (Skopje). Varësisht nga emri i dakorduar, shtetësia e cila do të figurojë në pasaportat dhe dokumentet zyrtare të qytetarëve të IRJM-së do të jetë “makedonski” ose “shtetësia e Republika Gorna Makedonija” nën opsionin e parë, e kështu me radhë. Opsionet për gjuhën maqedone përcjellin të njëjten logjikë. Propozimi i Nimetz parashikon që emri i ri të zbatohet për të gjitha palët, erga omnes, në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale të Maqedonisë.
Nga ky propozim, kuptohet se emri që do të dakordohej midis palëve, nga i cili rrjedhin shtetësia dhe gjuha, do të ishte në gjuhën maqedonase, i papërkthyeshëm në ndonjë gjuhë tjetër, pra as ne gjuhën shqipe, dhe do të përdorej si i tillë anembanë botës. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ekzistojnë precedentë të tillë, si për shembull Republika e Côte d’Ivoire (Bregu i Fildishtë) e cila nuk pranon asnjë përkthim nga frengjishtja të emrit të saj në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.

Një marrëveshje e tillë e sllavizimit apo maqedonizimit të shtetit të Maqedonisë përballë botës është krejtësisht e papranueshme për shqiptarët, sepse ky shtet përbëhet nga dy popuj kryesorë, shqiptarët dhe maqedonasit. Emri përfundimtar i Maqedonisë nuk guxon të anashkalojë këtë realitet dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me karakterin binacional të shtetit.

Ndërsa zgjidhja duket shumë afër dhe Kryeministri Zaev tanimë ka deklaruar se marrëveshja me Athinën do të hidhet në referendum në Maqedoni, partneri shqiptar i koalicionit qeveritar është kryesisht i heshtur rreth dilemave të ngritura nga propozimi i Nimetz. Faktori politik shqiptar në Maqedoni dhe në Ballkan, me disa përjashtime, mungon totalisht në këtë debat dhe gjithçka shkon sikur ky përcaktim të ishte vetëm se një problem ndërmjet grekëve dhe maqedonasve, duke lënë përshtypjen e një shteti ku shqiptarët s’kanë asnjë rëndësi institucionale.
Ndërkohë, çështja ka një rëndësi jetike për shqiptarët në tërësi dhe rrezikon identitetin tonë në atë shtet. Koha nuk premton dhe tani është tepër urgjente që faktori politik shqiptar të bashkohet dhe të ndërtojë një konsensus politik për t’u kyçur drejtpërdrejt në këto bisedime si palë e barabartë me palën maqedonase.

Zgjidhja e çështjes së emrit është kusht për zhbllokimin e procesit të antarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE, mirëpo zgjidhja e cila imponon një emër sllav është totalisht e papranueshme për shqiptarët, pavarësisht agjendave integruese.
Si shqiptarë, në asnjë variant nuk mund të pranojmë një emër i cili nuk reflekton karakterin binacional të shtetit dhe i cili nuk mund të përkthehet në të gjitha gjuhët e botës.