Presidenti i zgjedhur Donald Tramp ngjalli polemika e reagime të forta pas një interviste ku preku temat më të nxehta të sigurisë, NATON, Rusinë, terrorizmin emigracionin dhe daljen e Britanisë nga BE-ja. Duke folur për gazetën britanike Tajms dhe ate gjermane Bild, Trampi u shpreh: “E kam thënë prej kohësh se NATO-ja ka probleme. Ajo është e vjetëruar pasi është ideuar shumë vite më parë dhe nuk është marrë me terrorizmin, kurse vendet anëtare nuk paguajnë pjesën që u takon”. Trampi e quajti gjë të mirë largimin e Britanise nga BE-ja duke thënë se edhe vende të tjera evropiane do të veprojnë njësoj, Ai premtoi marrëveshje të shpejtë të tregtisë se lirë me Britaninë. Lidhur me krizën e emigracionit në Evropë, presidenti i zgjedhur tha: “Mendoj se Merkeli ka bërë një gabim katastrofik duke pranuar aq shume emigrantë. Ai po ashtu akuzoi Gjermaninë se po dominon BE-në. BE-ja është bërë si instrument i Gjermanisë, tha ai. Deklarata e presidentit të zgjedhur Donald Tramp, se NATO-ja është “e vjetruar”, ka shkaktuar shqetësim tek aleanca, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier pas nje bisede me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.