Kryetarja e Dhomave të specializuara, Ekaterina Trendafilova, gjatë ditës është takuar me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, me të cilin bisedoi për çështje të mandatit të gjykatës, rregullat e procedurës dhe provave, si dhe direktivave për mbrojtës.

Në takim u bisedua edhe për angazhimin e avokatëve nga Kosova në cilësinë e mbrojtësve të të akuzuarve potencialë dhe në cilësinë e mbrojtësve të viktimave, si dhe normativën tjetër përcjellëse që pritet të aprovohet si Ligji për ndihmën juridike në kuadër të Dhomave të Specializuara dhe Kodi i Etikës dhe procedurat disiplinore për mbrojtës.

Kryetarja e Dhomave te Specializuara të Kosovës konfirmoi se ende nuk ka aktakuza të dorëzuara në këto dhoma dhe për të gjitha zhvillimet do të ketë bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës.

Në kuadër të bashkëpunimit për avokatët në Kosovë do të organizohen trajnime nga përfaqësuesit e Zyrës së Mbrojtjes se të akuzuarve dhe të Zyrës për mbrojtjen e viktimave.

Kryetari Havolli falënderoi përfaqësuesit e Dhomave te Specializuara të Kosovës për bashkëpunimin e krijuar me Odën e Avokatëve të Kosovës.