Trimat e “Besës”, që në politikën shqiptare erdhën nga xhamia, Shtëpi e Zotit në të cilën e ka të mbyllur derën politika, hynë në Kuvend edhe me “votën” e popullit mysliman shqiptar. Vetëmse, Kuvendi nuk është xhami, Shtëpi e Zotit ku falen të pesë vaktet me ilahi dhe gjithë ditën e gjatë ia fut gjumë. Në Kuvend, përveç diskutimeve dhe replikave të “nxehta”, kërset edhe dajaku. Edhe pse, dajaku para disa viteve (2010), kërsiti edhe në Xhaminë “Isa Beu”, në Shkup ndaj një ish deputeti dhe politikani.

Kuvendi, është arena politike ku maten forcat partiake dhe truri i politikanëve. E, “trimat” e “Besës”, a i vunë këto armë politike në përdorim, flet vetë Ngjarja e fundit tragjike e pushtimit të Kuvendit me dhunë. Turma e tërbuar e “popullit” për “Maqedoni të përbashkët”, hyri në Kuvend dhe i pargjaku deputetët e popullit dhe gazetarët. Gratë deputete duke i tërhequr zvarrë për flokësh para kamerave televizive dhe syve të botës.

Dhe, policia e shtetit “demokratik”, që duhet t’i mbroj institucionet e shtetit, deputetët e popullit dhe gazetarët, ua hap dyert e Kuvendit krah më krah huliganëve. Veprim i çuditshëm, që nuk ndodhë në asnjë shtet demokratik të botës. Po, ja që ndodh në shtetin e “përbashkët” të IRJ të Maqedonisë. Përpara kamerave televizive dhe syve të botës, përgjaken deputetët e popullit dhe gazetarët.

Imzot, këto politikanë të tërbuar për pushtet, a e meritojnë shtetin?! Kurrsesi, jo. Atëherë, Amerika dhe Bashkimi Evropian pse humbin kohë t’u japin shtet këtyre “bashibuzukëve”, kur me këto sjellje jodemokratike nuk e meritojnë të udhëheqin as një fermë të derrave. E, ku më një shtet të “përbashkët” demokratik.

Historia demokratike gjatë këtyre njëzeteshtatë viteve, këto politikanë i ka vënë në sprovë politike. Rezultati: Ngjarja e fundit në Kuvendin e Shkupit. Shqiptarët, a duhet të humbin kohë me këto “politikanë” pa kokë, ta mbajnë gjallë shtetin, kur ato vetë nuk e duan Maqedoninë. Rrugëdalje, shqiptarët fatin e vet duhet ta marrin në duart e veta dhe dalin nga hendeku politik. Pse jo, mos ta marrin në dorë edhe shtetin.

Edhe pse, ende në radhët e veta e kanë bërllokun e vet politik, që me vite u ngatërrohet nëpër këmbë. Historia po u përsëritet shqiptarëve në jetën e tyre politike, në Kuvend. A ju kujtohen Ngjarjet e përgjkashme të Gostivarit (09 korrik 1997), Xhaxhi kuqezi kur u priu një ditë përpara, e shpalosi flamurin kuqezi para deputetëve në Kuvend, dhe u tha të pranishmëve në foltore: Mos u trembëni se, nuk ju hanë! Dita e nesërme, kur Cërvenkoski me polici e pushtoi Gostivarin, gishti i madh i tij kokëteposhtë dhe çoteku i paparë deri më sot ndaj popullatës të pafajshme që nuk mbahet mend as nga koha e Turqisë. I njëjti skenar u përsërit edhe në Ngjarjet e fundit në Kuvend (2017): “komitat”, kur e këndojnë në Kuvend himnin maqedonas, “trimat” e besës e këndojnë himnin shqiptar?! Dëshmi në vepër, se: këto burra “mejdani”, nuk janë politikanë e as patriotë.

Turma e tërbuar e nxitur nga këndimi i himnit shqiptar në Kuvendin “maqedonas” dhe zgjedhja me shumicë votash (61) e kryeparlamenatrit shqiptar, i tërboi huliganët dhe  hynë me dhunë në Kuvend duke i përgjakur deputetët e popullit dhe gazetarët. Deputeti i popullit, Zijadin Sela e pëson më së keqi, edhe me rrezik jete. Populli, thotë: shoku i lig, të lë në baltë. Unë, them: politikani teknefes, të lë mes huliganëve të tërbuar në Kuvend.

“Trimat” e “Besës”, ikën në shtëpi…