Trump, Merkel sot takim në Shtëpinë e Bardhë

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti amerikan Donald Trump takohen sot në Shtëpinë e Bardhë.

Angela Merkel dhe Donald Trump fillimisht do të takoheshin të martën, por stuhija që goditi brigjet verilindore amerikane i detyroi udhëheqësit ta shtynin takimin.

Ky do të jetë takimi i parë i drejtpërdrejtë me dy udhëheqësve që pas fitores së zotit Trump në zgjedhje.

Para zgjedhjeve Donald Trump e pat cilësuar qëndrimin mikpritës të zonjës Merkel ndaj refugjatëve “një gabim katastrofik” dhe e pat akuzuar atë se “po shkatërron Gjermaninë”.

Donald Trump është shprehur se vendet e NATO-s duhet të paguajnë më shumë për të përmbushur nevojat e mbrojtjes.

Angela Merkel, e cila ka peshë të madhe në Evropë, ka shprehur kritika ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump për të pezulluar futjen e shtetasve nga disa vende me shumicë myslimane. Urdhri është pezulluar për momentin me vendim gjykate.

Analistët politikë thonë se megjithë këto kritika të ndërsjellta, pritet që zoti Trump të kërkojë këshilla nga Kancelarja gjermane lidhur me qëndrimin ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Zonja Merkel ka pasur kontakte të shumta me udhëheqësin rus. Donald Trumpi ka shprehur shumë lëvdata në adresë të udhëheqësit rus, gjë që ka nervozuar shumë ligjvënës republikanë e demokratë.