Më 24 qershor të këtij viti në Turqi do të mbahen zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare. Kështu tha sot presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan, në një konferencë për media pas një mbledhjeje në rezidencën presidenciale në Ankara me kryetarin e partisë opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, i cili dje bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Erdogan tha se Turqia solli ndryshime të sistemit qeverisës pas referendumit të mbajtur më 16 prill të vitit 2017, duke shtuar se dispozitat në lidhje me sistemin presidencial do të hyjnë plotësisht në fuqi pas zgjedhjeve të para që do të mbahen.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite. Fillimisht, zgjedhjet e ardhshme të rregullta ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor 2019.