Besa, duke u futur në fushën e së vërtetës së realitetit politik dhe shoqëror të shqiptarëve në vend dhe shtetit në përgjithësi, në të njëjtën kohe synoi, nga njëra anë, të hapë një faqe të re në marrëdhëniet politike të shqiptarëve me politikën maqedonase (lexo: shtetin), për një marrëveshje objektive, të drejtë dhe funksionale, e cila do të garantonte progres të gjithanshëm politik, ekonomik dhe social për të gjithë qytetarët e vendit, si dhe paqe e siguri për shtetin. Nga ana tjetër, kështu iu dha një leksion politiko-ideologjik, një leksion përgjegjshmërie dhe dinjiteti edhe politikanëve shqiptarë, të cilët – me çdo çmim e në dëm të shqiptarëve – duan ta ruajnë zinxhirin e pushtetit, atë ideologjik dhe korruptiv, i cili për çdo ditë e më shumë i streson dhe dekurajon shqiptarët për të sotmen dhe të ardhmen e tyre

Arben Labënishti
Pothuajse të gjithë e pohojnë verbalisht se Maqedonia është shtet multietnik, por peshën e mospërputhshmërisë së përcaktimeve politiko-juridike në dokumentet themelore të shtetit, me realitetin multietnik të vendit, e cila diskriminon, dhe, në përditshmëri, i dëmton marrëdhëniet me institucionet e shtetit dhe jashtë tyre, gjë që ndikon drejtpërdrejt ne zhvillimin politik, kulturor, ekonomik, arsimor, social etj., e ndjejnë dhe e vuajnë, në veçanti, shqiptarët si kombi autokton dhe kombi i dytë në vend, por edhe jomaqedonasit e tjerë si pakica kombëtare.

Lufte idesë autoktone, autonome dhe autentike

Besa u themelua dhe manifestoi sjellje politike autonome dhe autentike, me vullnetin e ideatorëve dhe artikuluesve të programit politik të saj, i cili është i mishëruar me vlerat autoktone të kulturës dhe historisë se popullit shqiptar në Maqedoni.
Programi Politik i Lëvizjes Besa është një përkufizim objektiv i të drejtave të shqiptarëve, i lidhur drejtpërdrejt edhe me ndërtimin e shtetit multietnik, të cilin ajo – me guxim dhe përgjegjshmëri – u përpoq ta artikulojë dhe, në të njëjtën kohë, manifestoi veprim politik në përputhshmëri me atë. Por, sa më të drejta, realiste dhe kuptimplota të jenë idetë e artikuluara dhe sa më të qëndrueshëm e të papërkulur të jenë ata që i arsyetojnë, aq më e djallëzuar dhe e egër është lufta kundër tyre.
Një nga etërit e së majtës gjakësore-komuniste, Stalini, ka thënë, se: “Idetë janë më të fuqishme se armët; ne nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të kenë ide”. Ky është qëllimi edhe i luftës së ashpër me të cilën, nga drejtime të ndryshme, përballet edhe Lëvizja Besa nga bërja publike e platformës së saj politike deri në ditët e sotme.
Besa, duke u futur në fushën e së vërtetës së realitetit politik dhe shoqëror të shqiptarëve në vend dhe shtetit në përgjithësi, në të njëjtën kohe synoi, nga njëra anë, të hapë një faqe të re në marrëdhëniet politike të shqiptarëve me politikën maqedonase (lexo: shtetin), për një marrëveshje objektive, të drejtë dhe funksionale, e cila do të garantonte progres të gjithanshëm politik, ekonomik dhe social për të gjithë qytetarët e vendit, si dhe paqe e siguri për shtetin. Nga ana tjetër, kështu iu dha një leksion politiko-ideologjik, një leksion përgjegjshmërie dhe dinjiteti edhe politikanëve shqiptarë, të cilët – me çdo çmim e në dëm të shqiptarëve – duan ta ruajnë zinxhirin e pushtetit, atë ideologjik dhe korruptiv, i cili për çdo ditë e më shumë i streson dhe dekurajon shqiptarët për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Në këtë kuptim mund të thuhet se aktiviteti politik i Besës është edhe një kontribut për t’i reflektuar intelektualët që ia duan të mirën kombit të tyre, por edhe që populli shqiptar të senzibilizohet e orientohet për të vërtetën e politikës dhe rrugën e drejtë për mirëqenie të gjithanshme të tyre.
Lëvizjes Besa, me platformën politike të saj për Ridefinimin e shtetit dhe qëndrueshmërinë politike parimore; me përpjekjen e natyrshme të ruajtjes dhe afirmimit të vlerave autentike të traditës dhe kulturës shqiptare; me kërkesën e domosdoshmërisë së luftës pa kompromis për ta luftuar krimin; si një parti e cila – në përballjen e saj të parë elektorale – jo vetëm që arriti pragun e grupit parlamentar, por e përgjysmoi BDI-në; si dhe me dinjitetin e një pjese të drejtuesve të saj për të mos iu nënshtruar asnjë lloj presioni, joshje a intrige nga cilido drejtim që vinte, e cenoi fushën e së keqes sunduese të politikes maqedonase dhe asaj shqiptare. Këtu i ka rrënjët edhe lufta e egër për ta dëmtuar, nënshtruar dhe shkatërruar Besën.

Përçarja

Koha dëshmoi se, brenda strukturave drejtuese të Besës, kishte individë të dirigjuar nga jashtë, të manipulueshëm, interesxhinj, egoistë dhe të paqëndrueshëm.
Disave prej tyre, në mbledhjet të Kryesisë, me debate të zgjatura dhe ata që akoma pa u miratuar rendi i ditës mbylleshin – për çështje esencialisht kuptimplota për interesat e merituara të shqiptarëve dhe mbarëvajtjen e shëndetshme të partisë – u zbuloheshin ngjyrat, ato bëheshin të dukshme nën shkëlqimin e dritës së platformës politike, argumenteve kokëforta dhe qëndrueshmërisë të artikuluesve të vizionit politik të Lëvizjes Besa!
Goditjen e parë Besa e mori pas zgjedhjeve parlamentare nga KQZ-ja. Lufta anti-Besë u shfaq edhe më e egër në zgjedhjet lokale, me shqetësimin se ajo ishte e preferuara e elektoratit shqiptar, që ia mundësonte fitoren e dy komunave urbane më të rëndësishme, atë të Çairit dhe të Tetovës. Pas kësaj ishte e pritshme që, me fillimin e procesit të riorganizimit të partisë, të vinim në një situatë ku grupe të vogla të ngrinin kokë jo thjesht për ta uzurpuar partinë, por për ta zhbërë atë më esencialen – idenë autoktone, autonome dhe autentike të Lëvizjes Besa, ideologjinë e mirëfilltë shqiptare, që pretendon t’i nxjerrë shqiptarët nga vuajtja dhe mjerimi i sistemit politik, por edhe nga mjerimi i ideologjive dhe pseudoideologjive të politikës maqedonase.

Nga opozita në pozitë

Në çerekshekullin e pluralizmit politik në vend Besa, si asnjë parti shqiptare më parë, goditi në thellësi të çështjes shqiptare dhe ndërtimit të shtetit multietnik. Ideologjia e saj manifestoi objektivitet në vështrimin dhe vlerësimin e problemeve shqiptare në raport me politikën maqedonase dhe me atë shqiptare.
Besa, e dalë nga kongresi, ku si prioritete i ka përcaktuar Zhvillimin, Drejtësinë, Integrimin euroatlantik dhe Ridefinimin, tash nga opozita kaloi në pozitë. Ne vrullin e pritjes së ndryshimeve të mëdha dhe me domethënie të veçantë për shtetin, ku shqiptarët janë autoktonë dhe, numerikisht, të dytët, është e rëndësishme të jesh pjesëmarrës aktiv dhe kontribuues në këtë proces. Duhet, pra, të dëshmosh potencial me peshë në vendimmarrje, në interes të kauzës së popullit që e përfaqëson. Kështu Besa është futur për të ecur në segmentin politik qeverisës, i cili është shumë delikat dhe me rrezik për mosrealizimin e pretendimeve programore, që ajo duhet t’i realizojë për aq kohë sa do të jetë në pozitë, por edhe për identitetin e saj si parti, nga të cilat do të varet edhe e ardhmja e saj politike.
Drejtuesit e Besës, në opozitë ose pozitë, me këtë a një emër tjetër, duke argumentuar në vazhdimësi, duhet t’i qëndrojnë besnikë me kurajë e besim programit politik të saj. Në të kundërtën, do të bie në grackën e kompromiseve, të cilat do ta zhvishnin nga vlerat dhe karakteri i saj, si parti e ndryshme nga partitë e tjera shqiptarë në rreth tre dekada pluralizëm politik në vend.
Të mos e harrojmë vizionin, moralin, dinjitetin dhe devotshmërinë!
Vetëm kështu i shërbejmë kredos sonë kombëtare!/lajmpress