Klubi i Tiranës ka pësuar një goditje të rëndë financiare. UEFA i ka anuluar paratë që do merrte si shpërblim për pjesëmarrjen në Europa League.
Vendimi i qeverisë europiane të futbollit ka ardhur si shkak i problemeve me financat dhe detyrimet tatimore të K.F. Tirana.

“Vipsport.al” ka mësuar ekskluzivisht, që vendimi i UEFA-s ka shkuar zyrtarisht në zyrat e FSHF-së.

Në fakt, problemi qëndron pikërisht te FSHF, e cila në mënyrë të dyshimtë e licencoi Tiranën për të marrë pjesë në Europë, duke theksuar që nuk kishte probleme dhe detyrime financiare.

Por, Komisioni i Licencimit të UEFA-s pasi ka konstatuar që FSHF kishte gënjyer me deklarimet e saj dhe pasi Tirana kishte marrë pjesë në EUROPA LEAGUE, vendosi që t’i anulojë pagesën që do merrte për pjesëmarrjen.

Një goditje e rëndë financiare për Tiranën, e cila jo vetëm që nuk mori shpërblimin e UEFA-s, por edhe shpenzoi për udhëtime dhe akomodim gjatë pjesëmarrjes.

I gjithë ky skandal për shkak të një abuzimi të bërë nga FSHF, me shpresën se do arrinte të manipulonte edhe UEFA-n, duke licencuar një klub që kishte probleme.