Uta Ibrahimi është gruaja e parë shqiptare e cila është ngjitur në majën më të lartë të tokës , Everest. Disa momente të ngjitjes së saj janë përjetësuar përmes fotografive. Pikërisht përmes tyre, ajo e solli këtë rrugëtim shumë më pranë të pranishmëve në ekspozitën e parë personale ‘’Kujtimet nga Himalajet’’ që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Që në hyrje të Lapidariumit të Muzeut, Uta dukej sikur kishte vendosur që me të afërmit e vizitorët e saj të ndajë një pjesë të çmueshme të eksperiencës së saj.

Kartolina e bluza e gjëra të tjera ishin dhurata që Uta ofronte për çdonjërin. Uta dukej sikur një pjesë të kujtimeve të saj donte t’i bënte pjesë e të gjithë atyre që vazhdojnë ta mbështesin, e dëshironin ta shihnin më për së afërmi rrugëtimin e saj. Nëntëmbëdhjetë fotografi të ekspozuara në mure, e dëshmonin guximin dhe sakrificat e saj përgjatë ngjitjes. Me sy të buzëqeshur Uta është që nga pamja e kampit bazë në Everest, në kampet e tjera, akullnaja e deri tek mbërritja e majës. Përveç kësaj, ajo në këtë ekspozitë solli edhe rrobat, tendat e pajisjet që e kishin shoqëruar gjatë ngjitjes.

Ideja e Utës për t’i prezantuar kujtimet e saj në një ekspozitë ka lindur gjatë prezantimeve e takimeve të ndryshme me të rinj në shkolla dhe organizata, atje ku edhe e vëren interesimin dhe kureshtjen e tyre për eksperiencën e saj.

Uta para rreth një viti ka ngritur flamujt shqiptarë në majën më të lartë.

Vetëm dy muaj e ndajnë nga synimi që këta flamuj t’i ngrisë edhe para 12 majave të tjera. Këtë vit ajo synon ta arrijë majën e katërt më të lartë në botë, majën Lhotce (8516), për të vazhduar në muajt e verës në majën më të rrezikshme të botës , ne majën K2 (7,221m). Për t’i arritur këto Uta ka lansuar kampanjën ‘’14 Majet e Himalajeve’’, dhe brendin ‘’Utalaya Himalaya’’ ku përmes platformës Kosova Ideas, të gjithë mund të kontribuojnë me donacione për të përkrahur ekspeditat e saj në të ardhmen. Uta tha për KultPlus se deri më tani përkrahja morale ka qenë shumë e madhe, ndërsa tani të gjithë kanë rastin me mundësitë e tyre ta përkrahin atë edhe financiarisht.
Rrugëtimi, fotografitë e prezantimet e shumta të saj kanë një mesazh tejet inkurajues. Ajo thotë që pavarësisht që jetojmë në një vend të vogël e më shumë probleme, mundësitë për t’i arritur majat e jetës janë shumë të mëdha, dhe krejt çka duhet është puna dhe sakrifica.

“Everesti ka qenë për mua diçka e pamundshme, ose më mirë të them vështirë e realizueshme dhe unë e kam arritur. Shumë njerëz, sidomos femrat dhe gratë, unë i shtyj dhe i motivoj që t’i arrijnë majat e tyre në jetë, cilado qofshin ato”, ka thënë Uta Ibrahimi për KultPlus.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që aktivitetet e muzeut në vigjilje të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës po fillojnë pikërisht me këtë ekspozitë, e cila tregon suksesin e jashtëzakonshëm të një vajze kosovare. Ai po ashtu për KultPlus tha se sukseset dhe puna e saj do të jenë frymëzuese edhe për gjeneratën e re dhe ato që do të vijnë.

“Për mua është i rëndësishëm suksesi i saj si një femër e madhe dhe guximtare. Është shumë e rëndësishme po ashtu që edhe për gjeneratën e re, të dërgojmë mesazhe që secili mund të ngjitet majave të botës kur besohet fort në ëndërr dhe kur punohet shumë që ato ëndrra të bëhen realitet edhe në rastet kur mungon mbështetja apo është inkezistente ose edhe e vonuar”, ka thënë Boshtrakaj.

Ekspozita e Uta Ibrahimit do të qëndrojë e hapur për një javë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës.