Ish ndërmjetësuesi belg në Marrëveshjen e Përzhinës, Piter Van Hojte, në profilin e tij të Fejsbukut ka uruar për mbarimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Ai ka porositur se koha është që autoritetet të përkushtohen në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, njofton Portalb.mk.

“Me të vërtetë është kompromis, prej të cilit të gjithë qytetarët do të kenë dobi. Është koha që të vazhdohet përpara me prioritetet: shëndetësi, arsim, zhvillim dhe mjedis jetësor. Viti 2019 është që të bëhet zhvillim në këtë fusha”, shkruan Van Hojte.

Ndryshe, pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të panjohura që nga qershori i vitit 2018 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, më 11 janar më në fund Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit. U miratuan katër amandamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe kur të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Ky akt, Maqedonisë i siguron antarësim në NATO dhe datë bisedimesh me Bashkimin Evropian.