Ish ndërmjetësi evropian për bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni, Peter Vanhoutte, ka reaguar në lidhje me situatën e fundit në Maqedoni, konkretisht në lidhje me deklaratën e përbashkët të partive shqiptare siç njihet në opinion ‘platforma shqiptare’. Ai në rrjetet sociale ka shkruar se dygjuhësia nuk e ndanë Maqedoninë.

“Pavarësisht sugjerimit të disa prej liderëve politik dhe partive në Maqedoni, vendi nuk do të ndahet prej pranimit të faktit se të gjithë qytetarët janë të barabartë. Vendi nuk do të zhduket duke e pranuar një gjuhë të dytë”, kështu u shpreh ish ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedime në Maqedoni, Peter Vanhoutte, në një postim në profilin e tij.

Përkundrazi, shtoi më tej Vanhoutte, “Duke e pranuar se ju jetoni në një udhëkryq prej kulturave të ndryshme është një pasuri, pasi ekonomia juaj, sistemi edukativ, kërkimet shkencore dhe kultura mund të përfitojnë nga ajo. Diveristeti është mjet për forcimin e shtetit tuaj, një mjet që ju duhet që ta ndërtoni një të ardhme më të mirë”.

“Një nga simbolet me të rëndësishme të cilitdo komunitet është gjuha. Në përgjithësi, a e kanë të drejtën njerëzit që ta përdorin gjuhën amtare? Po, ata e kanë. Për komunitetet me një madhësi të arsyeshme, është po ashtu e zakonshme që të lejohet edukimi në gjuhën e tij amtare, dhe po ashtu t’i lejohet që ta përdorë atë në shërbimet komunale, në spitale apo në gjykatë. A do të mund të ndahet një shtet sepse ky parim njihet? Për mua, ky është një parim bazë, një mënyrë që të tregohet minimumi i respektit ndaj qenieve njerëzore të cilët jetojnë së bashku me ju në të njëjtin shtet.

Jam rritur në Belgjikë, kam mësuar të flas të gjitha gjuhët zyrtare. Dhe gjithmonë kur dikush dëshiron të flas me mua në njërën nga ato gjuhë, unë menjëherë kyçesha në atë gjuhë. Kjo është e rëndësishme për të qenë i sjellshëm me bashkëqytetarët tuaj.

Le të jemi seriozë, çka do të jetë rreziku më i madh për një vend si Maqedonia? A është e ligjshme kërkesa e komunitetit shqiptar, për të cilën është i mundur një zgjidhje efektive, edhe pse shumë diskutime në parlament do të jenë të nevojshme për ta vendosur atë si duhet, apo është stili autoritar i disa liderëve, ku formimi i Qeverisë i mbështetur nga shumica parlamentare është bllokuar, ku zgjedhjet lokale nuk mund të organizohen, një sistem që është shumë afër kolapsit të tërësishëm.” – thuhet më tej në postim