Venezuela ka filluar të shtunën stërvitjet dyditore ushtarake, të cilat janë parë si masë kundër një sulmi të mundshëm amerikan në këtë vend të Amerikës Jugore.

Aeroplanë ushtarakë, tanke dhe 200,000 trupa të Forcave ushtarake të Venezuelës janë vënë në gjendje gatishmërie, derisa në ushtrime pritet të marrin pjesë edhe 700 mijë rezervistë.

Presidenti i vendit, Nicolas Maduro, ka shkruar në Twitter se populli dhe ushtria janë duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin.

Në një kumtesë të publikuar në televizionin shtetëror, u bëhet thirrje të gjithë shtetasve të Venezuelës, prej moshës 18 deri 60-vjeç që të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit kundër “kërcënimeve luftarake të SHBA-ve”.

Stërvitjet ushtarake të Venezuelës vijnë si përgjigje ndaj kërcënimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për një aksion ushtarak para dy javësh, për shkak të krizës politike në këtë vend.