Venezuela do të tërhiqet nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) pasi akuzoi këtë grup se po ndërhyn në çështjet e saj të brendshme.

Qeveria venezueliane e bëri këtë lajmërim pasi OAS votoi për të zhvilluar një takim të ministrave të Jashtëm për të diskutuar krizën në thellim në Venezuelë. Fiqnjët e Venezuelës janë të shqetësuar për trazirat në rritje në vend dhe synojnë të zhvillojnë diskutime për masa të mundshme për të qetësuar situatën.

Por, sipas autoriteteve në Karakas, Venezuela nuk ka nevojë për gardianët e OAS për të zgjidhur problemet e saj. Ministrja e Jashtme e Venezuelës, Delcy Rodrigez tha se Venezuela do të nisë procedurat e largimit nga OAS sipas udhëzimeve të Presidentit Nicolas Maduro dhe gjatë kësaj kohe nuk do të marrë pjesë në aktivitetet e grupit, që, sipas saj, kanë qëllimin e vetëm që të shqetësojnë stabilitetin e Venezuelës dhe të ndërhyjnë në çështjet e saj të brendshme.

Përfaqësues të Venezuelës në OAS thanë se mbi të gjitha nuk do të lejojnë kurrë që fati i vendit të vendoset nga Uashingtoni. Shumë anëtarë të OAS mendojnë se qeveria e Venezuelës po injoron demokracinë, ndërsa trazirat në vend shtohen. Protestat e dhunshme vazhdojnë prej ditësh kundër regjimit të Maduros dhe të paktën 30 persona janë vrarë që kur demonstratat nisën muajin e shkuar.

Me ekonominë në krizë të thellë dhe fjalën uri që dëgjohet gjithnjë e më shpesh, pa harruar shtypjen dhe burgosjet politike, përshkallëzimi i protestave ishte thjesht një zhvillim logjik i situatës. Analistët thonë se nëse qeveria e Maduros nuk pranon ose nuk detyrohet që të shkojë në zgjedhje të parakoshme, siç kërkon opozita, situata do të përkeqësohet edhe më shumë.