Vetëm 12% e grave në Maqedoni janë në poste udhëheqëse. Gratë ankohen se në të shumtën e rasteve diskriminohen, duke u paguar më pak se burrat për të njëjtin profesion.

Por, kur analizohet problemi më rrënjësisht, nga Oda Ekonomike e pranojnë se gratë në shumë raste refuzojnë postet udhëheqëse, për shkaqe që lidhen me obligimet e tyre po aq të rëndësishme në familje.

 Pra, sipas tyre, duhet gjetur një balancë mes karrierës dhe familjes. Ata kërkojnë një sistem që do të jetë në funksion të përfshirjes më intensive të grave në tregun e punës, për të rritur qasjen e grave në financa dhe për t’i eliminuar pengesat që ende ekzistojnë në shoqëri.
 
“Gratë nuk pranojnë të jenë në funksionin e udhëheqësisë, por kemi një problem në themelin e shoqërisë, sepse nuk kemi konsolidim të institucioneve dhe kushte që një grua familjare të kujdeset për fëmijën e saj në mënyrë që të jetë në gjendje të kryejë detyrat e saja”,- deklaroi Gabriela Kulebanova nga Oda Ekonomike E Maqedonisë.
 
Nga Oda Ekonomike kërkojnë të ndjekin prirjet europiane për të rritur pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe për të zvogëluar hendekun e pagave midis burrave dhe grave.