Kombëtarja kuqezi vlen 40.88 milionë euro në Euro 2016

Me shpalljen e listave përfundimtare me 23 emra nga trajnerët e 24 ekipeve përfaqësuese që do të marrin pjesë në Euro 2016, faqja e specializuar në lidhje me transferimet e futbollistëve, ‘transfermarkt’, ka publikuar edhe vlerat totale të skuadrave që do të rivalizojnë mes tyre në këtë kompeticion.

Për të gjithë shqiptarët një interes të veçantë ka pozicioni në të cilin ndodhet përfaqësuesja kuqezi.

Shqipëria në fakt është një nga skuadrat surprizë që siguroi kualifikimin në Europian dhe normalisht nuk mund të ketë një pozicion të lartë në këtë klasifikim ku bëjnë pjesë edhe përfaqësueset më të mëdha të Europës.

Sipas ‘transfermarkt’, 23 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi kanë një vlerë që kap shifrën e 40,88 milionë eurove.

Në këtë klasifikim special, Shqipëria renditet e treta nga fundi në vendin e 22’të, duke lënë pas Irlandën e Veriut dhe Hungarinë. 

Mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj është futbollisti më i shtrenjtë që ka në përbërje te kombëtarja shqiptare, transmeton Supersport.

Kartoni i talentit shkodran vlerësohet me 9 milionë Euro nga ‘transfermarkt’, me Hysajn që zë plot 22,02 %, të vlerës totale të 23 kuqezinjve. Gjermania, kampionia në fuqi e Botës, është përfaqësuesja që ka vlerën më të lartë plot 562 milionë Euro e ndjekur nga Spanja, Belgjika, Franca, Anglia e Portugalia. Pikërisht përfaqësuesja luzitane ka në ekip lojtarin më të shtrenjtë dhe ai është 3 herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo që ka një vlerë që kap shifrën e 110 milionë Eurove.