Në radhët e BDI-së heshtje , por vlon nga pakënaqësitë për përfshirjen e Lëvizjes BESA dhe PDSH-së në Qeveri. Grupime të forta përbrenda këtij subjekti në Qeveri ka shpjeguar edhe në mbledhjet e fundit të kryesisë se nuk duhet pranuar në koalicion qeveritar Lëvizjen BESA të Afrim Gashit, e cila ka qenë atakuese më e ashpër në zgjedhjet e fundit lokale, por në anën tjetër as edhe PDSH-në.

“Ka zëra që nuk janë të kënaqur dhe kjo çështje hapur është diskutuar në forumet partiake. Por vendimi final i ka takuar kryetarit Ali Ahmeti, i cili ka sqaruar rrethanat e krijuara për të zgjeruar Qeverinë dhe për të krijuar një stabilitet brenda maxhorancës”, theksojnë për INA, burime partiake pranë BDI-së.

Njëjtë sikurse në BDI edhe te partitë e romëve ka pakënaqësi të mëdha ndaj zgjerimit të qeverisë. Kryetari i partisë së bashkuar për emancipimin e romëve, Nezhdet Mustafa ka reaguar ndaj vendimit që Amdi Bajram pas 11 vjetësh përkrahje të pushtetit VMRO-DPMNE, tani të bëhet pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit.
“Veprimi i tij asnjëherë nuk ka qenë politik, por manipulativ dhe mashtrues. Intrigat e tij i ka ndjerë Cërvenkovski, Tupurkovski, Gruevski, besoni se do i ndjen edhe partneri i ri, kryeministri aktual. Më 2018, standardet dhe vlerat evropiane asnjëherë nuk mund t’i arrijmë me njerëz si Amdi Bajram. ‘Koka- kola’ personalitete si që e konsideronte paturpësisht veten ai, nuk na nevojiten, madje as romëve si bashkësi etnike e aq më pak Maqedonisë”, ka thënë Mustafa.

Paraprakisht pakënaqësi të mëdha kundër përfshirjes së Amdi Bajramit janë shprehur edhe nga partia e Samka Ibraimovskit. Ndryshe prej BDI-së, Ibraimovski publikisht ka pranuar se Zaev fare nuk i ka pyetur për zgjerimin e qeverisë.