Prodhuesi suedez i automobilave Volvo njoftoi se sistemi i tij për detektimin e kafshëve të mëdha në automjetet pa vozitës mund të hetojë dhe t’iu shmanget në rrugë kaprojve, por testet e para tregojnë se ka probleme me kangurët.

Vetura automatike e kompanisë Volvo aktualisht nuk është në gjendje të detektojë kangurët për shkak të lëvizjes së tyre unike, përkatësisht kërcimeve, të cilat “mashtrojnë” sistemin softuerik.

Drejtori i kompanisë Volvo në Australi, Kevin McCann tha se deri te zbulimi ka ardhur në kuadër të zhvillimit të teknologjisë pa vozitës dhe se problemi do të zgjidhet deri në vitin 2020, kur vetura automatike e kësaj kompanie do të dalë në shitje.

“Kjo është teknologji në zhvillim. Ne po zhvillojmë automobilin, i cili do të mund të njohë edhe kangurin”, ka thënë ai.

Drejtori teknik i Volvo në Australi, David Piket tha më herët për ABC se problemet janë paraqitur pasi që sistemi për detektimin e objekteve përdor sipërfaqen e tokës si pikë referente, por për shkak të kërcimeve të kangurit nuk mund të vlerësojnë distancën e tij prej automjetit. “Kur kanguri është në ajër, duket sikur ndodhet më larg dhe kur kërcen, duket se është më afër”, ka thënë ai.

Sistemi për detektim është shpikur në Suedi, ku po testohet në fushat me kaproj, por gjatë provave në Australi zbuluan problemin me kangurë. Kangurët janë pjesëmarrës të rreth 90 për qind të ndeshjeve të automjeteve me kafshë në Australi, shkruan Guardian.