Muaj më parë bëri bujë dhe ngjalli debate lajmi se Shqipëria nuk votoi në Organizatën e Kombeve e Bashkuara pro vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Por pavarësisht kësaj, Shqipëria do të jetë e pranishme në ceremoninë që do të organizohet sot në mbrëmje nga Ministria e Jashtme e Izraelit.

Ceremonia do të mbahet në prag të hapjes së ambasadës amerikane, e programuar për ditën e hënë.

Lajmi konfirmohet nga “Times of Israel”, i cili bën të ditur se midis 33 ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë, do të jetë dhe ambasadori shqiptar në Izrael, Bardhyl Canaj.

“Një numër vendesh nga Europa Lindore dhe Qendrore parashikohen të marrin pjesë: Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina, Çekia, Hungaria, Rumania dhe Serbia”, shkruan “Times of Israel”.

Në eventin e mbrëmjes së sotme do të jenë edhe Kryeministri i Izraelit dhe delegacioni i lartë amerikan.

SHBA hap sot ambasadën në Jeruzalem, tension maksimal

Tension shumë i madh në Lindjen e Mesme, ndërsa sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapin ambasadën në Jeruzalem, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së shtetit.

Qyteti i shenjtë është blinduar, ndërsa të dielën mbërriti vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, bashkë me të shoqin.

Katër shtete të Bashkimit Europian, Austria, Hungaria, Rumania dhe Republika Çeke, do të marrin pjesë në ceremoni.

Vendimi i Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, duket se është një hap larg realitetit, pavarësisht opozitës së fortë të botës arabe, të Palestinës, OKB dhe një pjese të madhe të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë dhe Bashkimin Europian.

Mbrëmjen e së dielës, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, priti delegacionin amerikan të dërguar nga Shtëpia e Bardhë me rastin e inaugurimit të ambasadës, duke e cilësuar vendimin e Trump si kurajoz dhe historik.

Ndërkohë Jeruzalemi është i mbushur me flamuj izraelitë dhe amerikan.

Organizata islamike palestineze Hamas, e cilësoi vendimin amerikan si “Kthim mbas”, duke thirrur 100 mijë palestinezë që të blindojnë kufirin, shkruan noa.al.

Ndërkohë spitali Shifa në Gaza, është përgatitur për të përballuar situatat e emergjencës. /a.y/noa.al