ZGJEDHJET VENDORE NË MAQEDONI 2017 

VOTONI PËR KANDIDATË TË RI DHE NDRYSHIME! 

Edhe në zgjedhjet vendore të radhës, të cilat do të mbahen më 15 tetor 2017, qytetarët do të votojnë vetëm për punësimin e disa politikanëve, jo për decentralizimin e domosdoshëm të pushtetit, për realizimin e projekteve madhore ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe infrastrukturore, për parandalimin e shpërnguljes në masë të rinisë, sidomos në komunat me shumicë të popullsisë shqiptare, aq më pak për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, si pakicë kombëtare, popull i rendit të dytë, fati i të cilëve do të varet nga pushteti qendror dhe një grusht politikanësh të papërgjegjshëm dhe të korruptuar.  
Përmes shkrimeve të mia në lidhje me këto zgjedhje, të cilat do të mbahen më 15 tetor, nuk bëj thirrje për bojkotimin e tyre, por u përkujtoj qytetarëve se këto zgjedhje mbahen në kushte dhe rrethana tepër të pafavorshme për shqiptarët, prandaj, zgjidhja me pasoja më të vogla do të jetë votimi i kandidatëve më të mirë, jo i partive politike. 
Me këtë, në të ardhmen shpresojmë t’u hapet rruga ndryshimeve të tjera, për pushtet të decentralizuar të vetëqeverisjes vendore, mënyrë më efikase të financimit të komunave, për ngritjen e procedurave për ndryshimin e ligjeve diskriminuese, me të cilët ngulfaten komunat me shumicë të popullsisë shqiptare, me shpresë edhe për gjetjen e zgjidhjeve të tjera më fatlume për shqiptarët në Maqedoni në të ardhmen. 

Shkruan:Abdulla Mehmeti

(18.09.2017)