Vriten dhjetëra demonstrues palestinez

Disa orë para hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, në kufirin e Izraelit me Rripin e Gazës ndodhi një gjakderdhje e frikshme. Deri në një milionë palestinezë duan të demonstrojnë gjatë ditës së sotme

 

Ministria e Jashtme gjermane ka paralajmëruar shtetasit gjermanë që të mos shkojnë në zonën e qytetit të vjetër në Jeruzalem. Shkaku: Zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem dhe demonstratat e mëdha të palestinezëve, të  cilat kanë filluar në orët e para të mëngjesit

Vriten dhjetëra demonstrues

Të paktën 37 palestinezë janë vrarë sot nga forcat izraelite, gjatë protestave dhe konflikteve në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Ndër të vrarët është edhe një i ri 14-vjeçar. Sipas të dhënave palestineze, qindra demonstrues janë plagosur. Flitet për të paktën 450 persona të qëlluar me armë zjarri. Tre palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të vendosur mjete shpërthyese, njoftojnë burimet izraelite. Dhjetëra mijëra palestinezë po protestojnë në zonën kufitare, për shkak të zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jerusalem. Shumë persona kanë sulmuar ushtarët izraelitë me gurë. Dëshmitarët okularë thonë se shumë burra kanë bërë përpjekje të thyejnë gardhin mes Izraelit dhe Rripit të Gazit. Ndërkohë që janë djegur edhe goma makinash në udhëkryqe dhe në rrugët kryesore. Gjithandej shihet tym i zi.

Edhe në Ramallah dhe Jordanin Perëndimor janë mbledhur rreth 5000 palestinezë të cilët po protestojnë. Ata kanë bartur me vete flamuj palestinezë dhe flamuj të zi dhe çelësa. Në këtë mënyrë ata kërkojnë kthimin e palestinezëve në zonat e okupuara nga Izraeli, në vitin 1948, kur nga shtëpitë e tyre janë dëbuar me qindra mijëra palestinezë.

Greva e përgjithshme dhe kërkesat e ushtrisë

Ambasada amerikane në Jeruzalem Ambasada amerikane në Jeruzalem

Në kufirin e Gazës priten këtë të hënë rreth një milion protestues palestinezë. Ushtria izraelite ka dyfishuar numrin e ushtarëve në kufi. Para protestave ushtria izraelite ka hedhur nga ajri paralajmërime me të cilat kërkohet nga qytetarët në gjuhën arabe që të mos dalin në protesta. Shkollat, dyqanet dhe universitetet në Gazë janë mbyllur, si pasojë e një greve të përgjjithshme. Për grevë kanë bërë thirrje fraksionet politike, së bashku me Hamasin radikal. Njerëzit po dërgohen me autobusë në zonën kufitare, ndërsa nga xhamitë po bëhet thirrje për pjesëmarrje në protesta.

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi vjet në dhjetor që të zhvendosë ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem dhe që Jeruzalemin ta njohë si kryeqytet të Izraelit. Të martën palestinezët shënojnë tradicionalisht ditën e ikjes së qindra mijëra palestinezëve gjatë Luftës së Parë në Lindjen e Mesme, në vitin 1948. Në këtë mënyrë shënohet 70 vjetori i ikjes së palestienzëve dhe themelimit të shtetit të Izraelit.

Vendimin e presidentit Trump që pikërisht këtë ditë të hapë ambasadën amerikane në Jeruzalem konsiderohet si një provokim shumë i rëndë dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Netanjahu kërkon nga vendet e tjera që të ndjekin shembullin amerikan

Në anën tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka kërkuar prej vendeve të tjera që të ndjekin shembullin amerikan dhe të zhvendosin ambasadat e tyre në Jeruzalem. “Zhvendosni ambasadat në Jeruzalem, sepse kjo e ndihmon paqen”, tha Netanjahu në Jeruzalem. Zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, është kritikuar nga shumë përfaqësi ndërkombëtare dhe në veçanti arabe. Statusi i Jeruzalemit duhet të sqarohet në kuadër të negociatave paqësore për zgjidhjen e çështjes përmes krijimit të dy shteteve, thonë ata. Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit konsiderohet si një hap i njëanshëm.

SHPËRNDAJE