Lavdrim Muhaxheri, lideri i luftëtarëve shqiptarë të bashkuar me grupin e dhunshëm xhihadist Shteti Islamik është vrarë gjatë një sulmi me dron të forcave amerikane në Siri.

Lajmin e konfirmoi edhe vëllai i tij, Bajram Muhaxheri, me një status në rrjetin social Facebook. Njeriu që mori nofkën “Kasapi i Ballkanit” ishte kthyer në shqetësim për Perëndimin e konsiderohej i kërkuari numër 1 për rajonin.

I njohur edhe si Abu Abdullah Al-Kosova, Muhaxheri është konsideruar prej kohësh si një prej drejtuesve të ISIS-it pas ngjitjes së shpejtë në krye të Brigadës Ballkanike të Xhihadistëve.

Shërbimet sekrete italiane raportonin vitin e kaluar se ai ishte rikthyer në Kosovë në muajin nëntor dhe kishte kaluar përmes Maqedonisë, duke vënë në lëvizje krerët e shërbimeve sekrete të dy këtyre vendeve dhe Shqipërisë. Por, këto pretendime u mohuan nga autoritetet kosovare.

Muhaxheri kishte lëshuar disa herë kërcënime ndaj Kosovës e Shqipërisë. Emri i tij u lidh edhe me thirrjet për dhunë gjatë ndeshjes ndërkombëtare Shqipëri-Izrael, që do të luhej në Shkodër.

/ Top Channel