Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq mbrëmë deklaroi se e përkrah marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës, por nuk e nënvlerëson popullin e Maqedonisë, i cili, sipas tij, ka dhënë mesazh të qarte.
“Kam konsideruar se marrëveshja është e mirë dhe këtë e konsideroj edhe sot. Konsideroj se çdo marrëveshje është shumë e rëndësishme për popullin e dy vendeve. Ne nuk përzihemi në punët e brendshme të të dy shteteve, edhe pse unë si kryetar i Qeverisë e kam përkrahur marrëveshjen”, tha Vuçiq në konferencën për media pas takimit me raportuesin e Parlamentit Evropian, Dejvid Mekalister.

Ai, mes tjerash tha se ai nuk është i verbër që të mos e shoh se çfarë ka ndodhur dhe cili është mesazhi i popullit, transmeton Tanjug.

“Populli në Maqedoni ka sjellë vendim të qartë dhe nuk do ta injoroj si disa të tjerë”, tha Vuçiq.

Ai edhe njëherë deklaroi se dëshiron çdo të mirë dhe sukses për Maqedoninë dhe Greqinë, sepse, siç tha, bëhet fjalë për popuj vëllazëror.