Xhaka: I zhgënjyer nga De Biasi, nuk më sqaroi

Taulant Xhaka reagon vetëm pak orë pas deklaratës së De Biasit, duke hedhur poshtë versionin e trajnerit, sipas të cilit, mesfushori nuk udhëtoi me skuadrën për për shkak të një problemi. Në një prononcim për Supersport, 25-vjeçari shprehet shumë i zhgënjyer me qëndrimin e trajnerit Gianni De Biasi, duke theksuar se ai nuk thotë të vërtetën. “Unë Taulant Xhaka do ta them të vërtetën sepse jam plotësisht i zhgënjyer kur trajneri De Biasi thotë se ika ne Basel pasi kisha një problem, unë ju garantoj se asnjë problem nuk kam, por problemi është direkt me trajnerin De Biasi”, thekson ndër të tjera Xhaka. Në vijim të reagimit, mesfushori shqiptar i Baselit shton se ka luajtur pa rezerva për Kombëtaren por trajneri nuk i ka dhënë asnjë arsye për mosaktivizimin e tij titullar gjatë ndeshjeve të fundit. “Unë kam kerkuar nga ai që të bisedojë me mua dhë të më jepte arsyen përse unë nuk jam titullar, por ai me ironi nuk me tregoi asnjë, por as nuk dëshironte të dëgjonte mendimin tim.

Unë jam një profesionist dhe e respektoj vendimin e trajnerit por në këtë rast ai nuk ka dashur të më mbrojë dhe duhet të thotë të vërtetën”, shton Xhaka. Në fund të deklaratës së vëllait të madh të familjes Xhaka, ai hedh edhe një thumb në adresë të trajnerit, duke theksuar se atij i dhimbset populli shqiptar dhe Kombëtarja, ndërsa trajnerit i dhimbsen paratë që fiton. Gjithsesi, përpos arsyeve që Xhaka radhit si më sipër, fakt mbetet që lojtari ka thyer disiplinën dhe një ngjarje e tillë nuk ka ndikuar aspak në prishjen e harmonisë së skuadrës që mbetet e bashkuar dhe këtë e tregon më së miri një foto e postuar disa orë më parë ku të gjithë kanë darkuar bashkë pavarësisht ditës pushim të lënë nga trajneri De Biasi.