Zaev: Pres mandat nga Ivanovi dhe funksionim të Kuvendit

Proceset duhet të përshpejtohen. Çdo ditë është humbje për Maqedoninë, për të gjithë qytetarët dhe për perspektivat evropiane të vendit, është porosia e eurokomisarit Johanes Han dhe të tre eurodeputetëve që e kanë drejtuar në takimin me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
“Porositë e eurokomisarit dhe deputetëve evropianë janë të qarta. U dakorduam që proceset duhet të jenë të përshpejtuara. Çdo ditë është humbje për Maqedoninë, për të gjithë qytetarët dhe për perspektivat e vendit. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë së qeni të kujdesshëm për të gjitha këto provokime që ndodhin nga ana tjetër. Një është e qartë, duhet të shpejtojmë. Ne qëndrojmë në orientimin tonë të kujdesshëm në proceset demokratike në vend duke zgjedhur kryetar të Kuvendit, i cili do të dërgojë letër deri te Ivanovi dhe t’i shmangë këto 10-të ditë. Veçmë është prezantuar programi i qeverisë së ardhshme dhe presim që ky proces të përfundojë këtu. Tërë ajo që paraqet mundësi të re për humbjen e ditëve të reja është e rrezikshme për Maqedoninë”, tha Zaev.
Ai shtoi se Han dhe eurodeputetët kanë deklaruar se janë të gatshëm pas reformave të suksesshme dhe proceseve të filluara reformuese seriozisht t’i qasen Maqedonisë me hapje të kaptinave 23 dhe 24, gjegjësisht t’i përshpejtojnë proceset dhe t’i inkurajojnë qytetarët të cilët besojnë në europrespektiva.
“Kjo është edhe një arsye më shumë të sjellim vendime të shpejta në interes të qytetarëve. Shpresojmë se do të ketë kuptim nga të gjithë politikanët sepse partitë dhe politikanët ekzistojnë për ardhmërinë e Maqedonisë”, tha Zaev.
Lidhur me bllokimin me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Zaev tha se nuk kanë problem me këtë kërkesë, por vlerësoi se ky është edhe një tentim të bllokohet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
“Këtë nuk do ta lejojmë. Në pajtim me Rregulloren e Parlamentit në seancën plenare zgjidhet kryetari i Kuvendit, kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërtime, anëtarët dhe zëvendës anëtarët. Le t’i tregojë VMRO-DPMNE-ja argumentet e saja pse duhet të kenë kryetar të Komisionit të seancës plenare të Kuvendit. Ne do t’i tregojmë argumentet tona dhe në fund do të vendoset me votim. Proceset duhet të lëvizin përpara…. Nuk do të lejojmë që dikush të fshihet pas përgjegjësisë dhe ta bllokojë tërë Maqedoninë”, tha Zaev.
Ai e përsëriti qëndrimin në lidhje me vendimin e Ivanovit për, siç tha, dy arsyet e palogjikshme për të mos ia dhënë mandatin dhe shtoi se pret ato të largohen pas përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe duke e pas parasysh programin e publikuar të Qeverisë.
Sipas tij, zgjedhjet kredibile dhe të rregullta, Maqedonia duhet t’i shfrytëzojë si proces kredibil dhe të rregullt për të lëvizur përpara në proceset demokratike.
Njëherit apeloi se duhet të ndiqet ajo që është praktikë dhe ajo është që presidenti të përmbahet rolit formal dhe ceremonial dhe ta japë mandatin.
“Inati e çon Maqedoninë drejt një të ardhme të keqe. Të gjithë ne kemi obligim që të kujdesemi për të mirat e Maqedonisë. Pres që deri në fund të kësaj jave të mbahet seancë në Kuvend. E gjithë pjesa tjetër është banalizim. Të përzgjidhet Komisioni për zgjedhje dhe emërime dhe kryetari i Kuvendit që të ecim përpara. Maqedonia sa më parë kërkon zgjidhje. Ai është obligim edhe i Veljanoskit dhe i Gruevskit edhe i Ivanovit”, tha Zaev.
Pas një pauze të shkurtër Han dhe treshja e eurodeputetëve duhet të mbajnë takim edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së NIkolla Gruevski, me çka do t’i rrumbullaksojnë bisedimet me liderët e partive politike të përfaqësuara në Parlament.