Kancelarja gjermane Angela Merkel është rizgjedhur për të marrë drejtimin e vendit për herë të katërt, ky është rezultati që japin shifrat e sondazheve pas mbylljes së procesit të votimit.
Konservatorët e kancelares Angela Merkel kanë siguruar një mandat të katërt radhazi në pushtet në zgjedhjet që sollën një parti të së djathtës ekstreme për të parën herë në parlament në më shumë se gjysmë shekulli.
Blloku konservator i Merkelit, Kristian-Demokratët dhe aleatët e tyre bavarezë, Unioni KristianSocial, morën 32.5 për qind të votave, sipas një exit-polli të transmetuesit publik gjerman, ARD, që e bën atë grupin më të madh parlamentar.
Rivalët e tyre më të afërt, Social Demokratët e qendrës së majtë, morën 20 për qind të votave, rezultat ky më i keqi në periudhën e pas luftës. Duke falënderuar mbështetësit dhe anëtarët e partisë, kandidati i socialdemokratëve, Martin Schulz, tha se rezultati i arritur tregon se partia nuk ka mundur të tërheqë bazën ndërkohë që konfirmoi edhe se nuk do të dorëhiqet nga posti i liderit socialdemokrat.
Alternativa për Gjermaninë, formacion ky i ekstremit të djathtë, nacionalist dhe anti-islam, ka tronditur skenën politike duke dalë i treti dhe duke hyrë për të parën herë në parlament me 13.5 për qind të votave.
Lideri i partisë, në një postim në twiter, shkruante se gjermania kishte përjetuar një tërmet politik të përmasave gjigande. Ndërsa të dy gjigandët e politikës gjermane, CDU/CSU dhe SPD, duket se kanë humbur vota krahasuar me 2013, të gjelbrit, e majta, liberalët dhe nacionalistët, kanë fituar dukshëm mbështetje.
Katër partitë më të vogla, janë të gjitha mbi pragun e pesë përqindëshit që garanton hyrjen në Bundestag, çka bën që për të parën herë do të ketë gjashtë parti në parlamentin gjerman.