Qeveritë e disa shteteve perëndimore, përmes fondacioneve të tyre të ndryshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike dhe njerëzore, organizojnë dhe financojnë me dhjetëra projekte, me organizata joqeveritare vendëse, studiues dhe gazetarë hulumtues, siç është rasti me vjedhjen dhe kontrabandimin e arktefakteve nga ,,mafia arkeologjike” dhe kontrabandën me ,,plehëra kimike dhe mbetje radioaktive”, nga ,,mafia ekologjike”, të shtrira gjithandej në rajon, sidomos në trojet shqiptare. 
Me dhjetëra mijë arktefakte, ikona, monedha, armë të vjetra, veshje popullore karakteristike dhe vlera të tjera etnografike, historike, kombëtare dhe fetare, janë gërmuar në mënyrë të paligjshme, ose janë vjedhur, për t’u kontrabanduar kryesisht në Beograd, Sofje dhe Athinë, ndërsa një pjesë është shitur edhe në botën e jashtme. 
Këto projekte janë organizuar dhe financuar edhe për hulumtimin, zbulimin dhe denoncimini e veprimtarive të tjera mafioze dhe kriminale në hapësirat shqiptare dhe jo vetëm, në lidhje me kontrabandën me ,,plehëra helmues”, siç është rasti me kontigjentet e qindra kontejnerëve të sjellë përmes Italisë dhe vendeve të tjera, në Shqipëri dhe Maqedoni. Janë sjellë në deponinë ,,Drislla”, mes vendbanimeve shqiptare në Shkup, ose janë djegur në kombinatin me pronarë rus në ,,Jugohrom”, sërish mes vendbanimeve me mbi 500 mijë banorë shqiptarë!  
Çfarë bëjnë qeveritë tona, në Tiranë e Prishtinë? Çfarë bëjnë përfaqësuesit politikë shqiptarë në Shkup? Kënd e përfaqësojnë ata? Në interes të kujt punojnë? Kujt ia mbrojnë interesat nëse jo popullit shqiptar që i ka votuar dhe sjellë në pushtet? Nëse nuk kujdesen për vlerat kulturore dhe historike, nuk kujdesen për begatitë natyrore, për jetën e qytetarëve dhe pasurinë e shtetit, nëse nuk kujdesen për viset shqiptare dhe banorët e tyre, cila është logjike e të qenit në pushtet e këtyre politikanëve dhe pushtetarëve? Kujt i shërbejnë ata?!
Haj se na nëpërkëmben dhe mohohen liritë njerëzore dhe të drejtat qytetare e kombëtare, por kërcënimet e hapura ndaj identitetit dhe qenies sonë fizike, janë tepër shqetësuese!   
Pak dinjitet, përgjegjësi, kontroll dhe kujdes, o njerëz!  
(21.VII.2017)