1 tetori i ’97-s, pikë kthese në historinë më të re të Kosovës

albinAlbin Kurti, njëri prej organizatorëve të protestave studentore të vitit 1997, ka thënë se Lëvizja Studentore e ’97-s kishte bashkuar mbi 20 000 studentë e profesorë të cilët në mënyrë paqësore e dinjitoze marshonin, duke kërkuar lirimin e pakusht të objekteve dhe të hapësirës së okupuar universitare.

“Më 1 tetor 1997 kishte rilindur një subjekt i rëndësishëm dhe i pazakonshëm, që ishte i gatshëm të ballafaqohej për të vërtetën dhe të drejtën, për lirinë dhe barazinë. Lëvizja Studentore kishte bashkuar mbi 20 000 studentë e profesorë të cilët në mënyrë paqësore e dinjitoze marshonin, duke kërkuar lirimin e pakusht të objekteve dhe të hapësirës së okupuar universitare. Kjo kërkesë vazhdon të jetë e paplotë në realizimin e saj. Në pjesën veriore të Mitrovicës objektet e Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik dhe Shkollës së Lartë të Elektroteknikës dhe Makinerisë, që kanë qenë degë të UP-së, vazhdojnë të jenë objekte të okupuara”, ka thënë Kurti për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka shtuar se studenti shqiptar i UP-së, i bërë subjekt më 1 tetor 1997, ishte ndërhyrja e cila edhe e ka thyer heshtjen e “status quo”-s edhe e ka ndryshuar kahun e procesit politik përkundër politikës pasive. “Këtu ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme rektori i atëhershëm, prof. Ejup Statovci. Atë nuk e zmbrapsi kurrfarë trysnie apo kërcënimi, përkundër se banesa e tij modeste dhe zyra i ishin bastisur aq shumë herë. Ai nuk u zmbraps pavarësisht arrestimeve disa herë përgjatë viteve të ’90-ta nga policia e Serbisë. Ngjarjet mundësohen nga masat e njerëzve dhe institucionet, kurse prodhimi i ngjarjes përfundon i identifikuar me një apo fare pak njerëz. Kështu ka qenë rrjedha e historisë, përkundër secilës mund të pohojmë për 1 tetorin. Nëse ngjarjen e 1 tetorit e prodhuam të gjithë ne studentët dhe profesorët e Universitetit, atë ngjarje e mundësoi kryesisht vetëm një njeri, Ejup Statovci”, ka deklaruar Albin Kurti.